Anton Keli u ekzekutua në mes të Rrëshenit më datë 15 Dhjetor 2020, datë nga e cila saktësisht 3 muaj më parë u hodh në erë mjeti me të cilin udhëtonte kushëriri i tij i afërm, Preng Gjini që mbeti i plagosur rëndë.
Antoni më herët merrej kryesisht me një fermë blegtorale në fshatin e tij, Rrushkull, ndërsa së fundmi ishte shkëputur nga ky sektor dhe ka punuar si taksist në qytetin e vogël në veri të vendit ndërsa familja i jetonte jashtë. Të njohur të tij thonë se ai nuk ka pasur asnjë konflikt të hapur, dhe pavarësisht lidhjeve të afërta të gjakut me vëllezërit Gjini (Tonin/Armando dhe Preng Gjini), njihej si person që nuk përfshihej në çështjet e tyre.
Historia mes fiseve Gjini e Reçi është e njohur tashmë, teksa anëtarët e dy fiseve mohojnë publikisht të kenë gisht në vrasjet e bujshme të ndodhura ndër vite, madje për vrasjen e fundit, Reçtë reaguan përmes avokatit të tyre duke u distancuar nga ngjarja. Vrasja e Anton Kelit ishte një ngjarje që ka shtangur Mirditën, pasi ky i fundit bie kushëri i tretë me fëmijët e Preng Gjinit, pra “pushka ka marrë për keq” thuhet nga zona e tyre e askush se priste.
Fax News përmes këtij dosieri sjell një kapitull tjetër të historisë plot 26 vjeçare të fisit të Gjinëve, që daton me vitin 1994. Por që të kuptohet e gjitha pasi është tepër e ngjeshur, duhet parë edhe ndarja e degëve të kësaj familjeje.
Babai i Tonin dhe Preng Gjinit, Gjergj Gjini, 7 ditë më parë ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare, i biri nuk mori dot pjesë në ceremoninë e varrimit. Atij çfaeë nuk i panë sytë ndërsa njihet në zonë si një burrë i fisshëm dhe me tradita.
Gjergj Frrok Gjini ka vëlla Ndue Frrok Gjinin (babai i 7 djemve 3 prej të cilëve të vrarë dhe një të plagosur), ndërsa kanë kushëri të parë Gjin Preng Gjinin. Ky i fundit ka një djalë të quajtur Bardhok, të cilit përpara vrasjes së Toninit i është bërë një atentat me eksploziv pranë banesës së tij në Rrëshen, fatmirësisht pa dëme, por që ngjarja u mbajt e izoluar. Ai me Toninin dhe Prengën janë kushërinj të dytë, ku për këtë të fundit është kujdesur në spital pas atentatit me tritol tek “Vasil Shanto” më 15 Shtator.
E SHKUARA: Për fatin e tij të mirë i gjallë por nuk mori dot pjesë as në ceremoninë e varrimit të të atit. Shënjestër e një atentati mafioz në mes të Tiranës me 400 gramë tritol në makinë. Atentati ndaj Preng Gjinit, i cili tashmë e ka kaluar gjendjen e rrezikut për jetën, ndodhi pasditen e 15 Shtatorit në Tiranë, pranë Urës së Nshrakut.
Makinës së tij i vendosën tritol të një sasie 400 gram C4 në pjesën e përparme, te rrota në anën e pasagjerit, dhe shpërthimi i madh është kontrolluar nga një telekomandë në distancë, ndërsa ai ishte duke udhëtuar.
Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm saqë ka shkaktuar dëmtime edhe në dy makinat përreth dhe janë plagosur dy kalimtarë, një 45-vjeçar italian i identifikuar si Silvano Barbadoni dhe një 14-vjeçar.
Shpërthimi solli kaos dhe panik në rrugët e Tiranës, ku u grumbulluan njerëz të frikësuar e alarmuar. Kjo ngjarje u lidh sërish me sagën e hakmarjeve mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen, ku jo më larg se disa muaj më parë Kastriot Reçi, mbeti i vrarë me snajper. Fiset mohojnë konfliktet e provat për ti vënë në bankën e akuzës mungojnë.
Ndërkohë një vit pas vrasjes së Armando Gjinit, në Tiranë organizohet një atentat akoma dhe më i sofistikuar ndaj vëllait të tij, Preng Gjini. Burime për Fax News konfirmojnë se Prenga ishte betuar mbi trupin e pajetë të të vëllait, Tonin Gjini se do të merrte hak. Ai kishte vite që nuk vinte në Shqipëri për shkak të hasmërisë thonë të njohurit, por vrasja e vëllait e ktheu në atdhe.
Preng Gjini mbërriti me vonesë, duke lëvizur edhe orarin e varrimit. Vetëm 5 muaj më vonë ndodhi një nga vrasjet më misterioze në vend, ekzekutimi i Kastriot Reçit, në Rrëshen, autori i të cilit ende shëtit i lirë dhe ngjarja ka mbetur e pazbardhur.
Preng Gjini është ndaluar më herët në Itali për prostitucion dhe aty ka nisur konflikti mes Reçëve dhe Gjinëve, për luftë territoresh.
ECIM PAS NË KOHË.
12 Gusht 2019, Armando (Tonin) Gjini, “Ushtari” i Met Kananit, vritet me breshëri plumbash në qendër të Rrëshenit në sy të gruas dhe fëmijëve para Katedrales së Rrëshenit. Gjini ka ndaluar makinën, teksa gruaja e tij ka shkuar për të blerë diçka në dyqan dhe në ato momente është ekzekutuar. 48-vjeçarit disa muaj më parë i ishte vendosur lëndë eksplozive në makinë, e cila ka shpërthyer, por nuk pati të dëmtuar në njerëz. Viktima sapo kishte lënë mjetin për të dërguar fëmijët në shkollë, ndërkohë që i ishte vendosur tritol nën të. Ngjarja ndodhi vetëm katër ditë pasi ai kishte dalë nga burgu.
HISTORIKU QË I VJEN PAS: Armando Gjini, është i njohur për drejtësinë si pjesë e grupit të Met Kananit. 48-vjeçari u arrestua në datë 12 maj 2018 si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani, dhe qendroi në burg për rreth një vit. Në kuadër të operacionit ‘Precizioni’ Gjini u arrestua së bashku me 37 persona të tjerë, ndërsa u sekuestruan 8 ton drogë. Met Kanani njihet nga mediat turke si “Eskobari shqiptar” për shkak të famës që ai ka marrë atje si koka e një rrjeti të madh të trafikut të lëndëve narkotike përfshirë edhe heroinë e kokainë.
Nga operacionet e zhvilluara më herët edhe në Itali, Greqi, Turqi e Shqipëri, bandës i është sekuestruar mbi 8.4 ton kanabis me vlerë tregu 10 mln euro.
MË PAS AKOMA NË KOHË: Jemi më datë 27 Gusht 2018. Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në Ishull Lezhë. Arben Gjinit, djali i vogël i Ndue Gjinit, xhaxhit të Prengës e Toninit mbetet i plagosur. Ai u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërkohë kishte marrë plumba në këmbë e në shpatull por shpëtoi.
DOSJA E TIJ: Arben Gjini, 35-vjeç në atë kohë dyshohet se ishte përfshirë në trafikimin e kanabisit në Itali. Një konflikt i mundshëm për prishjen e pazareve të drogës, thanë burime pranë grupit hetimor kishin çuar në një pasojë të tillë ndaj tij. Gjini është dënuar në Itali e më pas është depërtuar drejt vendit tonë. Vetëm pak kohë para atentatit, ai është liruar nga burgu në shtetin fqinj.
Pas ngjarjes, në Kolsh – Lezhë, është gjetur i djegur mjeti tip “Benz”, i denoncuar i vjedhur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e plagosjes të cilët nuk ranë kurrë në pranga.
Përveç pazareve të Drogës, pista e dytë për atentatin ndaj 35-vjeçarit ishte ajo e hakmarrjes. Dy vëllezër të të riut janë vrarë shumë vite më parë në qytetin e Laçit nga pjesëtarët e një familje tjetër. Blutë dyshuan se atentati mund të jetë përgatitur pikërisht nga personat me të cilët familja Gjini ka konflikt, një familje po me emër nga Fani i Mirditës. Arben Gjini u qëllua me breshëri plumbash nga një makinë në lëvizje në kohën kur ai ishte duke qëndruar në një lokal.
VITE PAS NË KOHË:
Martin Kaza, 48-vjeç, u arrestua në Britaninë e Madhe për vrasjen e dyfishtë në vitin 1997 në Kurbin të vëllezërve Dodë dhe Agustin Gjini, vëllezër të Arbenit.
KAZA-GJINI, NJË HISTORI E PLUHUROSUR E KRONIKËS SË ZEZË:
Më 7 Janar të vitit 1994 Qyteti i Rrëshenit tronditet nga vrasja e Shefit të Krimeve, Ndue Kaza. Ai u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini, i cili u largua nga vendngjarja. Vrasja ndodhi pasi Shefi i Krimeve ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy grupeve rivale në zonë. 3 vite më vonë, i vëllai veproi më shpejt se drejtësia ndërsa pa arritur që autorët të arrestohen dhe familjet të pajtohen, në qytetin e Laçit mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit Dodë dhe Agustin Gjini.
Mediat e shkruara në atë kohë raportonin se mesditën e 3 Korrikut të vitit 1997, në atentat kishin marrë pjesë dy persona. Pas 4 vitesh, Gjykata e Kurbinit shpalli fajtor në mungesë për vrasjen e dyfishtë, Martin Kazën, duke e dënuar me 22 vite burg. Që prej asaj kohe, 48-vjeçari u largua jashtë vendit dhe nuk u kthye më kurrë. Në momentin e arrestimit në Londër në fund të 2017 autoritetet zbuluan identitetin e rremë kosovar, Naim Karagia. Doda, 20-vjeç ka ndërruar jetë në moment, i vëllai i tij 23-vjeçar Agustini është plagosur rëndë dhe është dërguar urgjent në spitalin e qytetit e më pas, ai është nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë ku edhe ka vdekur.
Më 19 Qershor 2001, Gjykata dënon me 22 vite burg në mungesë autorin për vrasjen e dy vëllezërve Dod dhe Agustin Gjini, vendim që nuk u ankimua asnjëherë nga autori i vrasjes, i cili pas krimit ishte larguar nga vendi. Gjyqtari sqaroi se një prej dëshmitarëve në gjyq ka rrëfyer se pas vrasjes është porositur nga xhaxhai i autorit, që sëbashku me një person tjetër të shkonte në shtëpinë e babait të viktimave dhe t’u çonte fjalë, sipas zakonit dhe kanunit, se:
“Vrasjen e Dod e Agustin Gjinit e ka nga neve (nga Kaza), duke porositur që për vonesën e të dërguarit fjalë ishte bërë shkak se nuk kishin qenë në shtëpi Martin e Artan Kaza”.
Një tjetër dëshmitarë i plagosur në ngjarjen e “97-ës, Besnik Legisi, shkruar në gazetat e kohës, i shpjegoi gjykatës në atë kohë, se problemi i hasmërisë qëndronte në faktin se Dod Gjini i kishte vrarë të vëllain Martin Kazës dhe se me qëllim mbylljen e hasmërisë paraditen e ngjarjes është tentuar të realizohet një takim në qytetin e Rrëshenit, por pa sukses.
Historia nuk përfundon këtu….
Në vitin e mbrapshtë, 1997, vritet me snajper brenda burgut të Shënkollit Nikolin Gjini, vëllai i Arbenit, Agustinit dhe Dodës dhe kushëri i parë i vëllezërve Preng e Ronin Gjini. Ai isjte arrstuar për një grabitje, ndërsa media për këtë ngjarje raportoi në atë kohë shumë pak, dhe shuma pak është folur për të. Ai kishte marrë peng drejtorin e burgut, ndërsa kërcënonte se do ta vriste nëse nuk i hapnin qelinë. Në fakt qelia u hap për të por për të dalë nga aty i vdekur pasi një snajper e goditi në distancë duke e lënë të vdekur në vend.
Vrasje, prita, përplasje, tradhëti e mosmarrëveshje mes shokësh kanë shkaktuar në Mirditë në 30 vite ngjarje që kanë tronditur opinionin publik. E fundit ishte ajo e Anton Kelit, një burri që mirditorët që e njohin thonë njëzëri “se kishte shoqin”. Shumë të tillë ka ngrënë pushka e hakmarrjes sikurse çdo pas krisme ka pasur tentativa për pajtim. Që nuk ndodhi, e prej vitesh hija e bustit të mirditorit të shquar Anton Çetës në zemër të Rrëshenit, nuk ka arritur të deportojë me sa duket në sedrën e disa burrave në krahinën e 12 Bajraqeve për të ndaluar pushkën…
Discussion about this post