Avokati Spartak Ngjela padyshim që mund të evidentohet për dy ide themelore të tij: Vettingu ose reformimi i drejtësisë dhe pika e dytë ‘antiberishizmi’’ që ai ka brenda vetes.
Ditë pas dite ai është shprehur se ndikimi amerikan për Reformën në Drejtësi është i pashmangshëm.
Përvecc kësaj ajo që vihet re po ashtu në shkrimet e fundit të Ngjelës është fakti që ai ka pasur dhe një qëndrim disi ndryshe në raport me kryeministrin Rama.
‘’Z. Rama, primar është vetingu: sot, për këtë testohesh edhe ti nëse e do apo bën sikur’’, shkruante ai para disa ditësh ndërkohë që pritej vendimarrja për pranimin e paketës ‘’McAllister’’.
Mesa duket për avokat Ngjelën më e rëndësishme se marrëdhënia e tij me Ramën mbetet angazhimi i tij në kuadër të Reformës në Drejtësi.
SHKRIMI I NGJELËS:
Sot do të konstatohet nëse “marrëveshja” e kryer, do të jetë për Reformën, apo kundër reformës në Drejtës?
Kontradikta këtu qëndron se nuk ka pasur marrëveshje midis palëve, por urdhër të prerë kundrejt korrupsionit shqiptar: ose… ose!
Fakti që palët po flasin për një marrëveshje e cila nuk ka qenë e tyre; na dalin përpara disa pyetje.
Dhe pyetjet janë këto:
Dihet që Berisha ka dy vjet që lufton kundër Reformës në Drejtësi: po Rama?
A mos vallë Rama kishte shpresë që nuk do ta votonte Berisha vetingun dhe vetë të ishte i larë?
Po tani që Berisha u urdhërua me kërcënim që të votonte vetingun, çfarë do bëjë pala tjetër?
Për faktin që nuk kishte marrëveshje, por urdhër, përse duhej Rama të takohej me Bashën për gjithë natën?
Le të supozojmë se që të dyja palët janë kundër Reformës, a mund të bëhet Reforma po të jenë kundër edhe Rama edhe Berisha?
Për një gjë duhet të jeni të sigurt: reformën nuk e ndalojnë dot, edhe nëse janë të bashkuar.
Por deri tani Rama është deklaruar “pro Reformës”, sot atij i takon të kryejë aktin. Dhe këtu do të dallojë: politika është akt i pastër – fjalët janë jashtë këtij konteksti sot.
Gjithsesi politika amerikane gjithnjë merr masa paraprake kur ka të bëjë me marrëveshje ku pala tjetër është në infantilizëm politik në raportin midis fjalës dhe aktit.
Prandaj: bashkimi antireformë është vetësakrifikim i shpejtë.
Ky bashkim nëse është bërë, nuk është bashkim kundër Reformës, por kundër Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Naivitet: do të ishin të mundur.
Gjithsesi sot është akti kur korrupsioni domosdoshmërisht duhet të shpallë dorëzimin e vet. Dhe do ta shpallë.
Flasim nesër.
SHKRIMET E NGJELËS:
A do të nisë nesër rrugën e vet procesi për likuidimin përfundimtar të primitivizmit politik Berisha në Shqipëri?
Sigurisht që po. Politika amerikanë e mundi përfundimisht ligësinë primitive të korrupsionit politik shqiptar. Shqipëria po ecën tani e sigurt drejt Bashkimit Europian.
- Sali Berisha, mendje e sëmurë dhe shterpë, me urrejtje kundër shqiptarëve dhe me tension psikik permanent në tendencën për shktërrim, kërkoi në njëzet vjet të krijonte një fenomen malinj dhe antiamerikan në Shqipëri.
Para tre ditësh ai dështoi përfundimisht përballë ndihmësit të zv.sekretarit të Departamentit të Shtetit Amerikën, Yee.
Berisha tani është i sëmuri i pafuqishëm i pushtetit oriental në Shqipëri.
Reformën në Drejtësi tani nuk ka më forcë që ta bllokojë në Tiranë.
- Por në këta tre muajt e fundit, ashtu si në dy vjet rresht, Berisha u lodh kot për të bllokuar Reformën në Drejtësi kundër politikës amerikane.
Çfarë nuk krijoi: Trump-i është me mua, iu thosh ithtarëve hajdutë pranë tij; krijoi Sorisin si gogol; goditi ambasadorin e Shteteve të bashkuara dhe ambasadoren e Bashkimit Europian; vuri në lëvizje portalet e tij rurale të terrenit antiintelektualist shqiptar për të goditur deri dhe të dërguarin e posaçëm të DASH, në një kohë që e dinte që Brian Yee sapo ishte zgjedhur në Uashington në vend të zonjës Nuland.
Të gjitha këto me një qëllim: të krijonte në Shqipëri një revoltë destabilizuese duke iu thënë pasuesëve të tij injorantë se “këtë po e drejton presidenti amerikan Donald Trump kundër sorosianëve në Shqipëri”.
Gënjente, trembte dhe mashtronte, brenda një çadre nomadësh që e pati ngritur në Bulevardin e Tiranës.
lll.
Nuk hyj në Parlament se nuk dua vetingun: nuk mund të votoj pro akuzës sime si i korruptuar – në fakt ky ishte thelbi i gjithë lëvizjes së Sali Berishës në këta tre muaj.
Për të gjitha këto, gjeti dhe një kalama që e pompoi si kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë, dhe, bashkë me të, kërkonte të kryente një “revolucion demokratik”.
Dhe ja si e fshehtë qëllimin e tij për të hequr frikën që realisht e kishte kapluar atë vetë:
Dua qeveri teknike, se nuk dua vetingun;
Dua kryeministër teknike që ta kem si kusht të parealizuar që të mos hyj në Parlament për vetingun;
Nuk marr pjesë në zgjedhje, se dua të krijoj trazira në Tiranë dhe frikën e destabilizimit në Uashington, se nuk dua të votoj vetingun;
Përfundimisht Berisha në tre muaj tha: “unë nuk dua asgjë të re, dua Shqipërinë e modelit tim: jashtë Bashkimit Europian, të varfër, pa një shtet dhe me mua sundues, dhe të dobët karshi shteteve fqinje që shtypin shqiptarët autoktonë.
lll.
Sali Berisha që duket se ka marrë këto ditë një goditje nokauti nga politika amerikane nëpërmjet Hoyt Brian Yee, i cili korri suksesin e tij politik të radhës në Ballkan, nuk do të ketë më fuqi për të penguar Reformën në Drejtësi.
Nesër kokëulur dhe i trembur nga kërcënimi i hapur dhe i drejtpërdrejtë i zotit Yee, do të votojë vetë dhe pa llafe likuidimin e tij dhe të taborit të vet të korruptuar.
Në fakt Berisha krijoi një fenomen malinj në poltikën shqiptare, dhe jo nga rasti.
Ky ka qënë një fenomen i ushqyer se jashtmi dhe i paguar me pushtet kundër interesit shqiptar.
Nesër e gjithmonë do të shkruhet se: politika amerikane ka shpëtuar historinë reale të shqiptarëve në një pikë e cila ose duhej të ishte kthesë në historinë e saj drejt Perëndimit, ose do të sillte shpërbërjen e një populli të lashtë sa vetë historia në Gadishullin Ilirik.
Fitorja e shqiptarëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor është e sigurt.
SHKRIMI I NGJELËS 2:
Korrupsioni shqiptar lodhet kot: duhet t’i dorëzohet ligjit.
Pse i bini kaq gjatë o të mjerë!
Një vuajtje e gjatë është torturë.
Departamenti i Shtetit Amerikan është në Tiranë.
Asgjë nuk do të bëni dot, duhet të shkoni në Parlament dhe të votoni ndëshkimin e korrupsionit se ky akt është në ndihmë të të gjithë shqiptarëve . Zhvillimi shqiptar pengohet sot nga korrupsioni shtetëror, dhe ky duhet shkatërruar- kjo është arsyeja e kohës sonë.
- Rama, primar është vetingu: sot, për këtë testohesh edhe ti nëse e do apo bën sikur.
- Po mendohet Saliu, thonë. Përse mendohet?
Kot mundohesh Sali: të kanë thënë që të zgjedhësh të keqen më të vogël: që të ndëshkohesh për një krim kombëtar dhe jo për një krim ndërkombëtar.
Kjo është gjuha e Departamentit të Shtetit Amerikën në Tiranë.
Çdo zgjatje është torturë.
Akuza nuk është helm, është çështje që duhet zgjidhur. Shqipëria nuk mund të ecë më duke mbajtur krimin brenda vetes në shoqërinë e saj të lodhur. Shkoi shumë gjatë ky popull me krim të pandëshkuar: Një mbret vret kundërshtarët politikë me agjenturën serbe, merr dhe arin e bankës kombëtare dhe ikën. Të tjerë banditë krijojnë kampe përqëndrimi dhe vrasin gjithë intelektualizmin e lartë shqiptar; izolojnë Shqipërinë si burg, dhe nuk iu hyn as një gjemb në këmbë: sepse nuk ka drejtësi.
Dhe ja dhe këta të sotmit: njezet vjet abuzim, vjedhje dhe banditizëm shtetëror: por tani janë të kapur, dhe do të ndëshkohen për historinë e shkuar, historinë e sotme dhe për hir të historisë që vjen: ka ardhur koha që edhe shqiptarët të flasin realisht për drejtësinë e tyre. - Kjo është arsyeja historike që nuk i lë më të lëvizin: sorrollaten kot. Sot dhe nesër do shkojnë të firmosin kontrollin dhe akuzën kundër vetes: kjo është risia e aktualitetit historik shqiptar: dëmprurësit nuk do t’i gjykojë asnjë revolucion; asnjë gjykatë revolucionare, por paanësia e qytetërimit të lartë perëndimor.
Akuza, në Perëndim, është në thelb drejtësi e kualifikuar: kështu do të jetë edhe këtu.
Janë të detyruar që të gjithë: do të shkojnë në Parlament të votojnë për drejtësinë që do t’i kontrollojë dhe do t’i akuzojë… por gjithmonë me drejtësinë që vjen nga moraliteti.