Ambasadori Lu dhe kryeministri Rama kanë qenë të pranishëm në simpoziumin e organizuar nga Ambasada e SHBA-ve Kundër Korrupsionit. Takimi është shfrytëzuar nga të dy për të folur edhe për procesin e Reformës në Drejtësi.
“Kur flasim për korrupsionin kemi tendencën që gjithçka ta lidhim me denoncimin, hetimin dhe gjykimin dhe patjetër kjo bën një domosdoshmëri të hershme të shoqërisë sonë: reformën në drejtësi dhe transformimin rrënjësor të drejtësisë, një sistem që është kthyer në një pazar të madh ku drejtësia blihet dhe shitet”, ka thënë Rama.
Por, sipas tij, drejtësia mund të kthehet në një sistem ku garancia kushtetuese e barazisë përpara ligjit
bëhet e mundur. “Ne kemi ndërmarrë një rrugë reformash të mëdha e të thella që synojnë ndërtimin e sistemeve në çdo sektor, ku alternativa e korrupsionit luftohet përmes një cilësie të re të institucioneve dhe shërbimit që ato ofrojnë”, ka thënë kryeministri.
I pranishëm në këtë event, ambasadori amerikan Donald Lu ka deklaruar se suksesi i reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja që do të dalin prej saj varet nga pritshmëritë e popullit shqiptar.
“Kjo do të funksionojë vetëm nëse populli shqiptar ka pritshmëri të larta dhe kërkon rezultate nga këto institucione. Ju duhet të prisni që shumë prej krerëve të krimit të organizuar do të futen në burg. Duhet të prisni që politikanë të korruptuar, nga e djathta në të majtë, do të përballen me drejtësinë. Dhe më e rëndësishmja, duhet të prisni që trafikantë droge, politikanë e gjykatës e prokurorë të korruptuar të jenë të frikësuar”, ka thënë Lu.
Sipas tij, që tani ekzistojnë prova se persona të këtyre kategorive janë të frikësuar dhe “po përpiqen të luftojnë këtë reformë”.
“Për shkak të frikës së tyre ata thonë gënjeshtra për ambasadoren e BE, misionin EURALIUS dhe Gjykatën Kushtetuese. Sikurse e tha vetë kryetari i gjykatës, Dedja, gjykata ka dërguar një përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte dobësuar. Jemi në pritje të Komisionit të Venecias, që do të udhëzojë Shqipërinë për zbatimin e reformës”, ka thënë Lu.