Kryeinspektorët e huaj kanë vlerësuar ditën e sotme inspektimet online që Shqipëria bën në fushën e bizneseve. Gjatë një konference të nivelit të lartë të mbajtur për herë të parë në ambientet e “Hotel Tirana”, ata shprehën vlerësimet më të mira për inspektimet online dhe për punën e bërë deri më tani nga Shqipëira.
Kjo konferencë u organizua nga Inspektorati Qendror i Shqipërisë, ndërsa të pranishëm ishin drejtues të inspektorateve qendrore nga Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Kosova dhe Serbia, së bashku me stafet e tyre, drejtues të Bankës Botërore, të BERZH, të USAID; si edhe drejtues të dhomave të tregtisë dhe industrisë të huaja dhe vendase.
Në nisje të konferencës, i pari që mbajti fjalën ishte Drejtuesi i Inspektoratit Qendror, Shkëlqim Hajdari. Ai u shpreh i kënaqur me rezultatet e deritanishme të inspektimeve online dhe shtoi se gjitha kjo bëhet për t’i dhënë frymë bizneseve të ndershme.
“Pas 6 muaj përgatitjesh Inspektorati Qendror mbledh nivelet më të larta teknike dhe profesionale të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar, shkëmbyer përvojat më të mira në fushën e enteve rregullatore dhe posaçërisht inspektimit.
Inspektoratet të mos kujtojnë se janë ato që kanë në dorë jetën e biznesit dhe nëpërmjet veprimeve korruptive të shkatërrojnë biznesin e ndershëm në Shqipëri. Jam munduar ta kryej deri më tani këtë detyrë duke qenë në mes, nga njëra anë duke ec me reformën e inspektorateve dhe nga ana tjetër duke mbështetur biznesin e ndershëm dhe duke bashkëpunuar me të, me qëllim që nëpërmjet trupave të inspektimit jo të rritet barra e biznesit, por të ulet barra ndaj tij.
Trupat e inspektimit nuk mund të vazhdonin të ishin barrë ndaj biznesit, duke i shkuar ditën e natën pa asnjë lloj procedure. Duke i hyrë kur gjenin derën mbyllur nga dritarja, duke bërë korrupsion të hapur, duke goditur biznesin e ndershëm dhe duke mbajtur në lojë atë të pandershëm.
Sot situata ka ndryshuar, kryerja e inspektimeve mbi bazën e analizës së riskut me dokumente standarde, me check-lista me tableta, pranë biznesit me njoftim paraprak, me sistem GPS dhe me kamera, ka gjetur përkrahjen e biznesit të ndershëm, ka ulur korrupsionin dhe i ka formalizuar inspektoratet shtetërore”, tha Shkëlqim Hajdari.
E pranishme në konferencë, ish-zëvendëskryeministrja Senida Mesi deklaroi se Shqipëria krijoi një model që detyron inspektorët që kur të shkojnë në bizense për të kryer punën, të plotësojnë online inspektimin.
“Së bashku me z.Hajdari dhe me ekspertë të fushës dhe me pjesën e biznesit ne kemi qëndruar shumë herë në tryeza, për të përcaktuar cili do të ishte një model që do i përshtatej më së miri Shqipërisë, legjislacionit në fuqi, por edhe nevojave të biznesit.
Ne arritëm të krijonim një model i cili në një farë mënyre kishte një funksion matricor nëse mund ta quaj kështu, ku inspektimi duhet të jetë në 7 linja kryesore. Pra të grupohet sipas funksionalitetit, ku nga njëra anë strategjitë, misionin dhe orientimin për standardin duhet t’i marrë nga Ministria e linjës, por nga ana tjetër për të implementuar edhe parimin e famshëm të kontrollit dyfish, ne të kishim monitorimin, kontrollin e procesit, pra mënyra se si bëhet inspektimi nga Inspektorati i Përgjithshëm. Reforma e parë që u punua me Inspektoratin e Përgjithshëm ishte pikërisht rishikimi i metodologjisë së inspektimit, duke filluar nga inspektimi online.
Detyrim për të gjithë inspektorët dhe inspektoratet që kur të shkoni në biznes të plotësoni direkt online inspektimin, përmirësimi i check-listave, ku një pjesë e tyre u dakordësua që të ishte e përgjithshme për të gjithë bizneset”, u shpreh Senida Mesi.
Ndërsa Inspektori i Përgjithshëm i Administratës Publike franceze, Jean Pierre Dalle theksoi në fjalën e tij se vendi ynë duhet ta vijojë edhe më tej reformën me qëllim që inspektimet të jenë të ndershme dhe të ndalohet korrupsioni.
“Prej dy vjetësh, Inspektorati i Përgjithshëm i Administratës Publike Franceze, bashkëpunon me Inspektoratin Qendror të Shqipërisë. Shumë specialistë tanë kanë ardhur në Tiranë dhe janë përfshirë në diskutime, studime. Dhe ka dhënë asistencë për reformën në fushën e inspektimeve dhe jemi të kënaqur që reforma online është në majat evropiane, praktika më e mirë.
Reforma duhet të vazhdoj me përmirësime ligjore. Që të sigurojnë organizim eficent të inspektorateve, ndërtimin e sistemit të rekrutimit, karrierës dhe profesionalizmit. Me qëllim që inspektimi të jetë i ndershëm, i drejtë, parandalues, të ulë korrupsionin dhe barrën ndaj biznesit të ndershëm”, tha Jean Pierre Dalle.
Në të njëjtën linjë me të ishte edhe përfaqësuesi i OECD, Florentin Blank. “Jemi shumë të kënaqur me inspektimet online, por reforma duhet të vazhdojë për ngritjen e strukturave inspektuese, profesionale, të pavarura, të pa ndikuara nga politika”, tha ai.
Ndërsa Presidentja e Këshillit të Inspektorateve të Maqedonisë së Veriut, Magdalena Filipovska Graskoska, vlerësoi punën e Inspektoratit Qendror të Shqipërisë.
“Kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Inspektoratin Qendror të Shqipërisë prej 1 viti dhe po punojmë që këtë reformë ta implementojmë në vendin tonë”, deklaroi Blank.
Kurse drejtori i Administratës Federale për Çështjet e Inspektimit u shpreh i surprizuar nga rezultatet e reformës. “Jam i surprizuar nga reforma që ka Inspektorati Qendror i Shqipërisë, për sa i përket kryerjes së inspektimeve, bazuar në metodologjinë e analizës së riskut, me dokumente standarde dhe check lista( listë verifikimi). Me tableta të inkorporuar brenda tyre sistemin e GPS dhe video-kamera, online. Që nga fillimi i procesit të inspektimit dhe deri te përfundimi.
Ju siguroj të nderuar pjesëmarrës se kjo teknologji e kryerjes së inspektimit nuk është e implementuar në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor dhe në asnjë nga vendet anëtare të BE-së”, citoi ai gjatë konferencës.
Pjesë e kësaj konference të nivelit të lartë ishite edhe kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Mucostepa. Ajo deklaroi se reforma ka përmirësuar klimën e biznesit dhe se ka ulur korrupsionin.
“Ky model inspektimi ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit duke ulur barrierat administrative, si dhe duke minimizuar nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë. Këtë përvojë do të donim ta sugjeronim pikërisht edhe për implementim në vendet e tjera të Ballkanit.
Kjo konferencë sot duhet të ndihmojë në unifikimin e procedurave inspektuese sipas këtij modeli: Rritjen e ndërveprimit midis vendeve tona, përmirësimin, formalizimin e klimës në ekonomi, uljen e barrierave administrative dhe korrupsionin në vendet e Ballkanit. Më lejoni të vlerësoj edhe iniciativën e themelimit të shoqatës së inspektorëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Jam e bindur që kjo shoqatë do të jetë një organizim i ri, me veprim të drejtpërdrejtë edhe në përmirësimin e klimës të të bërit biznes në rajon”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, kryetari i Forumit të Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë, Nagib Fejzi vlerësoi punën e bërë nga Inspektorati Qendror i Shqipërisë.
“Organizmi i kësaj konference ballkanike të nivelit të lartë e çon në një nivel më të lartë bashkëpunimin e ngushtë rajonal, duke unifikuar procedurat ligjore teknike të inspektimit sipas standardeve të Komunitetit Evropian. Janë për t’u vlerësuar standardet e ngritura nga Inspektorati Qendror i Republikës së Shqipërisë.
Kjo konferencë ka pikërisht qëllimin e reformimit të inspektimeve në Ballkanin Perëndimor sipas standardeve të BE-së. Duke bërë të mundur formalizimin e ekonomive të vendeve tona dhe lëvizjes së lirë të mallrave brenda këtij rajoni. Duke lehtësuar kështu edhe barrierat që sipërmarrësit hasin në ushtrimin e aktiviteteve të tyre eksportuese”, tha Nagib Fejzi.
I pranishëm në konferencë ishte edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, i cili bëri ftesë që të hartohet një platformë e përbashkët.
“Është momenti i duhur që ne të ulemi në tryezë jo vetëm për të diskutuar me njëri-tjetrin, por edhe për të hartuar një platformë të përbashkët. Unë ndjehem prapë i lumtur që në fund të axhendës shohim që inspektoratet do bëjnë edhe do krijojnë shoqatën e tyre, që do jetë edhe një organizim që mundëson dhe stimulon komunikimin dhe implementimin e metodave më të mira të implementuara në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Jaka. Kryetari i
Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha shtoi se përtej të tjerave, konferenca duhet të shfrytëzohet edhe për të krijuar tregje të hapura mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Tregjet e hapura mes shteteve të Ballkanit Perëndimor do të sjellin mirëqenie të qëndrueshme ekonomike në vendet e lartpërmendura. Për ta arritur këtë duhet që të ndërmarrim hapa konkretë rreth realizimeve të synimeve që i kemi të përbashkëta për t’u kyçur në Bashkimin Evropian.
Për këtë arsye duhet të jemi unik, të jemi në komunikim dhe bashkëpunim të shpeshtë që të mund të identifikojmë problemet dhe ngecjet e shumta, të cilat mund të ndodhin gjatë eksportit dhe të gjejmë mënyra të reja dhe efikase për t’i minimizuar apo eliminuar ato.
Shpresoj që kjo konference do të japë mesazhin e vet në qeveritë tona, të cilat duhet të jenë edhe ata që në fund të japin mundësinë që këto institucione të modernizohen dhe ne si biznese të kemi qarkullim sa më të shpejtë dhe më të lirë të produkteve tona”, u shpreh ai.
Ndërsa Presidenti i ‘Biznes Albania’, Luan Bregasi përfundoi fjalën duke treguar mbështetjen e tij për inspektimet online.
“Ne e kemi mbështetur si sipërmarrje iniciativën e inspektoratit shtetëror për të bërë reformën e inspektoratit. Të gjitha inspektoratet që janë këtu dhe shoh shumë inspektorë këtu kanë ndryshuar, sepse kanë ndryshuar këta vetë që ka ndryshuar trupat e inspektimit.
Kanë reflektuar në ndërmarrje kur vijnë për kontrolle d.m.th nuk vijnë më si policë, si xhandarë por vijnë si njerëz që komunikojnë me biznesin, që paraqesin planin e kontrollit, që i lënë një afat 1 mujor apo 2 javor sipas rregullit. Edhe për të bërë ndonjë vetërregullim siç e ka sot ligji p.sh i Tatimeve etj”, deklaroi Luan Bregasi.