Ben Blushi, kryetari i partisë Lista e Barabartë, ka dalë sot në një konferencë për shtyp për reformën zgjedhore. Kjo deklaratë e tij vjen pak ditë pasi Kreu i Lartë i Shtetit, Bujar Nishani, dekretoi datën e zgjedhjeve, 18 qershor 2017.
Në fjalën e tij, Blushi renditi disa propozime që partia e tij LIBRA do të bëjë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Është ndoshta hera e parë që presidenti dekreton datën e zgjedhjeve parlamentare, pa një reformë zgjedhore, data e së cilës ka skaduar. Reforma zgjedhore duhet të avancojë dhe data e komisionit për reformën zgjedhore të shtyhet me shpresë se në dy muajt e ardhshëm, diçka do të ndryshojë.”, tha Blushi.
Në vijim, kreu i kësaj partie renditi tre nevoja themelore që lidhen drejtpërsëdrejti me propozimet e LIBRA-s.
“E para: Duhet të kryhet numërimi elektronik i votave. Ndoshta jemi vendi i parë në botë që ku partitë kundërshtare numërojnë votat e njëra-tjetrës. E dyta: Duhet bërë ç’është e mundur që komisionet zgjedhore dhe ato të numërimit të votave të depolitizohen. E treat: Të kontrollohet financimi i partive politike të mëdha. Dihet nga vjen ky burim të ardhurash, nga financimi që mundëson trafiku i kanabisit, nga vjedhjet dhe korrupsioni. Ne si LIBRA do propozojmë një amendament që favorizon audite ndërkombëtare për financat e partive politike.”, renditi më tej ai.
Ben Blushi kërkoi që tu jepet prioritet emigrantëve në reformën zgjedhore, pasi “janë ata që kanë kontribuar ekonomikisht për 25 vjet radhazi”.