Vetëm dy ditë më parë palët politike në vend, me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, arritën konsesnusin për marrëveshjen e Reformës Zgjedhore.
Ajo që bëri habi për publikun edhe mediat ishte se përfaqësuesit e Këshillit Politik firmosën një marrëveshje të shkruan në gjuhën angleze.
Ndërkohë që diplomati Shaban Murati, pas firmosjes së kësaj marrëveshje, në një shkrim në mediat sociale, vë theksin tek ndjesia e largët kombëtare që kanë partitë politike në Shqipëri.
“Këshilla për miqtë: Aq larg ndjenjës së shtetësisë kombëtare dhe detyrimit kushtetues janë partitë politike shqiptare, sa sillen midis tyre sikur përfaqësojnë shtete të ndryshme, dhe për marrëveshjen ndërpartiake të reformës zgjedhore midis partive politike shqiptare në Tiranë i vunë firmat në marrëveshjen e shkruar në gjuhën angleze.
Mungon në marrëveshjen e mësipërme vetëm neni i fundit rutinor i marrëveshjeve klasike ndërkombëtare, që thotë se në rast konflikti midis palëve mbi interpretimin e neneve, është i vlefshëm në gjykatë teksti në gjuhën angleze.”- shkruan Murati.