Dy bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari i janë drejtuar me letër zyrtare ODIHR-it ku kërkojnë dërgimin e një eksperti që do të punojë së bashku me ekspertet vendas në hartimin e drafteve përfundimtare në kuadër të Reformës Zgjedhore.
Nderkaq, Komisioni mbetet në pritje të caktimit të ekspertëve nga opozita jashtëparlamentare që sëbashku me ekspertet e komisionit të fillojnë menjëherë dhe pa humbur kohë punën në zbatim të marreveshjes se arritur pak ditë me parë.
Kërkesa është firmosur nga dy bashkekryetaret e komisionit Gjiknuri dhe Hajdari.
Pak ditë më parë në ambjentet e Pallatit të Kongreseve u takuan Petrit Vasili, Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari dhe Oerd Bylykbashi. Gjatë takimit të zhvilluar pa praninë e mediave me përjashtim të Hajdarit, tre përfaqësuesit e tjerë firmosën një draft me konkluzionet e tryezës në të cilin është dakordësuar për krijimin e një këshilli politik me përfaqësues nga të gjitha palët brenda muajit janar.
Palët kanë rënë dakord të formojnë Këshillin Politik me përfaqësues të opozites, drejtuesve të komisionit te Reformes Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend.
Ndërkohë që një përfaqësi nga opozita jashtëparlamentare dhe eksperte të saj do të punojnë me dy bashkëkryetaret e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ekspertët e atashuar pranë saj.
Për çështje që nuk ka dakordësi do të kërkohet asistencë nga përfaqësues të OSBE-së, e cila do të bashkëpunojë me përfaqësues të partive politike.
Ndërkohë ndër të tjera thuhet se Reforma Zgjedhore duhet të jetë mbyllur jo më vonë se 15 Marsi i vitit 2020.
Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili komentuan pas takimit që zgjati një orë, vendimin për të nisur punën për reformën zgjedhore.
Ata thanë se është hedhur një hap në raport me një moment të rëndësishëm që ka të bëjë me plotësimin e një kushti kyç të Bundestagut gjerman, lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim dhe për përparimin e integrimit europian.
Damian Gjiknuri përfqësues i PS-së, u shpreh se më në fund ka një marrëveshje mes palëve. Gjiknuri theksoi se do përpiqen të punojmë me konsensus me ndihmën e ODIHR për Reformën Zgjedhore.
Edhe pse ishte pjesë e tryezës, firma e Rudina Hajdarit nuk figuron në projekt-draftin paraprak të rënë dakort nga palët për nisjen e procesit të Reformës, gjë për të cilin ka dhënë edhe sqarimin e saj për Fax News.
‘Parimisht jam dakord me përmbajtjen e dokumentit në fjalë, që u diskutua sot në mbledhjen e zhvilluar. Kam kërkuar që të ketë një qartësi më të madhe ‘sa i përket angazhimit që ky Këshill do të ketë në lidhje me diskutimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor, sic dhe e përmban objekti i Komisionit për Reformën Zgjedhore”, tha ndër të tjera ajo për Fax News.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar pas arritjes së konsensusit mes palëve politike sa u përket konkluzioneve të Reformës Zgjedhore, duke e përshëndetur vendimin e sotëm ndërsa ka bërë edhe një apel për klasën politike.
Në këtë reagim thuhet se pas dakortësisë, duhet të punojnë së bashku për Reformën Zgjedhore, si një hap I rëndësishëm për të trajtuar rekomandimet e ODHIR-it.
Kjo marrëveshje ka pasur edhe kundështime ku ra në sy ai i Jozefina Topallit ku sulmon kreun e PD-së, Lulzim Bashën të cilit I kujton edhe premtimet se me Ramën kryeministër nuk do të pranonte asnjë kompromis.
Topalli shkruan për Bashën se njeriu që e la vendin pa opozitë, një ditë pas mbylljes së dosjes së tij penale, u ul në tavolinë me Ramën duke shtuar se marrëveshja e sotme ishte më e zezë se ajo e 17 Majit.
Teksa kujton aksionet opozitare të Bashës për rrëzimin e Ramës nga drejtimi I qeverisë, Topalli shprehet se ‘revolucioni’ nisi pak ditë pasi riaktivizimit të dosjes së lobimit 1 milionë dollarësh dhe u mbyll sot, një ditë pas pushimit të saj si çështje.
Astrit Patozi në një shkrim në rrjetet sociale ka ironizuar takimin e palëve politike, në kuadër të dialogut për një konsensus sa më të gjerë për Reformën Zgjedhore.
Duke hamendësuar theniet e opozitës jashtë paralmentare të cilët kërkonin dorëheqjen e parevokueshme të Ramës, Patozi shkruan me ironi se kryeministri Edi Rama ka dhënë dorëheqjen.
Pas bërjes publike të konkluzioneve të arritura në tryezën e djeshme të Reformës Zgjedhore, dhe prononcimit të përfaqësuesve të opozitës parlamentare, jashtë parlamentare dhe mazhorancës për mediat, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.
Me anë të një shënimi në Twitter, Rama shprehet se është humbur më shumë se një vit për shkak sipas tij të konfliktit që ka çuar deri në ekstremin e mosarsyes.
Kryeministri shprehet se e përgëzon rikthimin e arsyeshëm në tryezën e dialogut për shkallën e parë të reformës Zgjedhore.
(M.Q/Faxweb.al)