Presidenti Ilir Meta i cili ditën e sotme, ka ditën e deklaratave live për mediat dhe publikun është pyetur disa herë në lidhje me reformën zgjedhore e cila ende nuk është formosur nga të gjitha palët, posaçërisht nga opozuita jashtëparlamentare.
Ndërsa në ‘lojë’ ditën e djeshme hyri dhe opozita parlamentare e cila në një letër drejtuar ambasadores Kim ku bëhej e qartë se nuk do ta votonin në parlament reformën nëse ajo nuk parashikonte ndërhyrjen në sistem duke parashikuar listat e hapura për kandidatët për deputet.
I pyetur për ‘frikën’ që ka presidenti që kjo reformë do të bllokohet dhe në rast të rënies dakord të palëve në Këshillin Politik, Meta nuk nguroi të bënte dhe ironi me mazhorancën, eksponentët të të cilës, madje dhe vetë Rama kërcënuan se do ta kalonin në parlament vetëm me votat e tyre.
“Nuk besoj se është ndokush që ka ndonjë dyshim që supermazhoranca nuk i ka votat për ta miratuar, por për të arritur një reformë të mirëpranuar duhen së pari qëllime të mira.
Sa më përfshirës të jetë produkti, aq më pozitive është për të gjithë. Fakti që marrëveshja u vonua tregon që mungon vullneti për të bërë ndryshim në sistem. Por duke pasur parasysh që vendi ka 1 vit e gjysmë që ka probleme kushtetuese duhet të shkojmë sa më parë në zgjedhje të mirëpranuara dhe për tu dhënë mundësi të gjithëve të votojnë dhe të votohen dhe shumë çështje të rëndësishme të adresohen në vendin e duhur dhe që të realizohen nisma të rëndësishme qoftë dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor”, u shpreh Meta.
Ndërkohë në lidhje me rolin e ndërkombëtarëve në zhvillimet politike në vend Meta u shpreh se çdo rol pozitiv është i mirëpritur:
“Dëgjova nga një deputet i mazhorancës dje që vetëm SHBA ka të drejtë të shprehet mbi çështje të caktuara.
Mendoj që çdo ambasador ka të drejtë të japë mendim mbi standardet e rëna dakord me BE për të ecur në vazhdën e marrëveshjes së stabilizim asociimit.
Çdo ambasador që sheh një shkelje është më mirë ta denoncojë dhe të mos heshtë”.