Tërheqja e prokurorit special të Kosovës nga kërkesa për ekstradim të Ugur Toksoyt, shtetasit turk që kërkohet nga autoritetet e Erdoganit, ka marrë fokus edhe te mediet e mëdha ndërkombëtare
“Prokurori kosovar lëshon rastin për ekstradimin e të dyshuarit për lidhje me puçin në Turqi”, është titulli që e ka raportuar “Reuters” vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Kosova liron një shtetas turk të ndaluar nën akuzat për terrorizëm”, thotë “Washington Post” në titullin e lajmit, shkruan Gazeta Express.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka tërhequr të enjten nga Gjykata kërkesën për ekstradim të Ugur Toksoyt, shtetasit turk të arrestuar më 27 tetor të këtij viti, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të shtetit turk.
Shteti turk, përkundër komunikimeve zyrtare përmes Ambasadës në Prishtinë, nuk ka arritur që brenda 40 ditëve t’i ofrojë Prokurorit Special Ali Rexha, prova materiale për lidhjet e Ugur Toksoyt me terrorizëm.
Këtë e ka pranuar vetë Rexha në seancën e të enjtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Toksoy ishte arrestuar në Prizren, në fund të tetorit, dhe krimi i vetëm që ka bërë, sipas një Prokurorie lokale të Turqisë, është se mbështet Fetullah Gulenin.
Ai është arrestuar më 27 tetor 2017, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata lokale e Hatayt në Turqi.
(B.H/Faxweb)