Analisti Redi Varaku, i ftuar në studion e Fax News, u shpreh skeptik sa i takon alternativave që kanë paraqitur palët politike për zgjedhjet e 14 Majit. Ai tha se sot kemi përballë një qeveri që është shndërruar në mandatin e saj të tretë në një regjim që kontrollon gjithçka, dhe nga ana tjetër një opozitë të pafuqishme, e cila përveçse e përçarë nuk gëzon as mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.
“Duhet të rikujtojmë qytetarët që aktualisht jemi në mandatin e tretë qeverisës të Ramës, e cila ka marrë trajtën e një regjimi. Sot Edi Rama kontrollon gjithçka, kemi një trajektore të frikshme të regjimit, sa vjen dhe fuqizohet.
Fushatat do të vijnë dhe do të mbeten identike, i mungojnë kolonat politike, që më e rëndësishmja është llogaridhënia. Ai nuk jep asnjë llogari se si janë drejtuar bashkitë, ka gjetur një mënyrë që mos ti japë llogari askujt, sa kohë që ka me vete oligarkët, krimin, administratën.
Nuk pres ndonjë gjë të re nga fushata, gjithçka është një përpjekje për të fshehur llogaridhënien. Opozita vuan sot pasojat e përçarjes së thellë që ka mes saj, e dëmton shumë situata e opozitës, imagjino që përballë regjimit është e vështirë shembja në rast se je i bashkuar, dhe ke me vete mbështetjen ndërkombëtare, imagjino në këtë situatë që jemi.
Dhe aty që kishte disa shenja të ringritjes, janë izoluar sepse establishment u alarmua nga ajo revoltë e qytetarëve, kanë arritur që të zvogëlojnë optimizmin me të cilën nisi fushata e opozitës”, tha Varaku.
I pyetur nga moderatorja Xhilda Kondi nëse elektorati gri do të jetë pjesë aktive e këtyre zgjedhjeve, Varaku ishte dyshues në këtë pikë, sa kohë sipas tij shumë prej tyre janë të frikësuar, për shkak se duan që të mbrojnë pozicionet e punës.
“Elektorati gri nëse do ri referohemi qeverisjes së zotit Rama, nuk merr pjesë në fushatën e Ramës, por është i detyruar nëse ka një vend pune. Nuk besoj se elektorati gri do të marrë pjesë në zgjedhje, në terren ka mbizotërim frike, sepse në 15 Maj qytetarët e dinë që Edi Rama do të jetë sërish kryeministër. Fushata e opozitës po vuan pasojat e pamundësisë për t’u riformuar, për t’u bashkuar”, u shpreh më tej analisti.