Nga Preç Zogaj
Vendimet e forta si këto që ka marrë PD që nga protesta e 18 shkurtit e këndej, janë të tilla që nuk mund të mos ngjallin debate dhe kundërshti brenda llojit. Kjo është normale dhe pozitive. Ka vite që individë të ndryshëm brenda partive luftojnë për këtë standard. E vërteta është se PD po përjeton prej tri-katër vitesh një proces të hapjes ndaj diversitetit të mendimeve dhe “legalizimit” të debatit. Nuk mund të imagjinohej në dhjetëvjeçarin e parë të kësaj partie që dikush të kritikonte me emër kryetarin dhe kritikuesi të përfshihej pas kësaj në delegacionin që do të vizitonte SHBA-të. Kjo ndodhi vitin e kaluar me kryetarin Lulzim Basha dhe me kritikuesin e tij, Eduard Selami. Ndërkohë që PS e Ramës e përfundoi me Ben Blushin dhe me disa deputetë historikë të lënë jashtë liste mbylljen e partisë ndaj mendimit ndryshe.
Por kundërshtitë kanë vlerën dhe hijeshinë e aktit të dobishëm politik kur bëhen dhe konsumohen në kohën e duhur. Kundërshtitë e fundit të deputetëve demokratë, Majlinda Bregu dhe Eduard Selami, për mospjesëmarrjen e PD-së në zgjedhjet e 18 qershorit, vijnë në kohën kur ka mbaruar afati ligjor i regjistrimit të kandidatëve. Edhe në kontekstin e debatit që mund të provokonin brenda PD-së për të marrë pjesë apo jo në zgjedhje nuk kanë vlerë. Sipas Kodit Zgjedhor në fuqi, kandidatët nuk mund të regjistrohen më vonë se 50 ditë para zgjedhjeve, pa llogaritur ditën e zgjedhjeve. Edhe një fëmijë i klasës së parë është në gjendje të llogarisë se afati i fundit ishte mesnata e datës 28 prill. Në shtetin ligjor, çdo regjistrim pas kësaj date është i paligjshëm. Në shtetin mbiligjor të Ramës, kodet dhe ligjet e shkruara nuk kanë asnjë vlerë.
Aktualisht çështja e regjistrimit është në fazën e lëmoshës 48-orëshe të Ramës. Pasi ka shkelur brutalisht kodin për vete, Ramës i shkon mendja të përfshijë edhe opozitën në shkeljen e tij. T’i kërkosh PD-së në këtë segment jashtëligjor të marrë pjesë në zgjedhje, është një gabim naiv.
Unë kam vetë një histori të kundërvënies me lidershipin e PD-së, gjithnjë kur kjo parti ka qenë në pushtet. Nuk e paragjykoj aspak mendimin ndryshe. Përkundrazi, e inkurajoj me forcë, i refuzoj anatemat pa doganë kundër kritikëve, mendoj se me ta duhet folur gjithnjë me argumente. Basha ka qenë shumë i qartë që, më 18 qershor se PD dhe opozita e bashkuar nuk do të marrin pjesë dhe nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të 18 qershorit pa një qeveri teknike me bazë të gjerë. Ky qëndrim është përsëritur në të gjitha ditët e protestës në çadër, paradite dhe pasdite, përfshirë ditët e enjte, që me sa kemi parë i janë dedikuar Grupit Parlamentar. Çfarë dua të them? Hapësira për të ndërtuar e avancuar një qëndrim alternativ ka qenë e hapur për këdo që nuk ka ndarë të njëjtin qëndrim dhe për këdo që ka besuar se Basha e ka me gjithë mend. Unë nuk mund ta di a do ta kishin ndryshuar qëndrimet alternative rrjedhën e ngjarjeve. Por di të them se nëse këto kundërshti do të ishin konsumuar që në fillim, që kur ka nisur kjo protestë, do të flisnim ndryshe. Ka pasur mendime ndryshe për vetingun, për shembull, që janë artikuluar në çadër dhe në aula të tjera të opozitarizmit. Askush nuk i ka paragjykuar, madje mendoj se kanë ndikuar pozitivisht për të larguar ndonjë ekuivok të opozitës për vetingun.
Sot, ndërsa Edi Rama ka nisur marshimin e tij të verbër drejt zgjedhjeve fasadë, e mira është që energjitë e demokratëve dhe opozitarëve të çdo ngjyre, përfshirë mijëra opozitarë socialistë që nuk janë dakord me aventurën e rrezikshme të kreut të qeverisë, të kanalizohen për të çuar përpara kauzën e zgjedhjeve të lira e të ndershme si gurin e themelit për një nisje të re të Shqipërisë. Në fund të fundit, në këtë udhëkryq të madh për opozitarët ka vetëm një dilemë për të zgjidhur: është apo nuk është e drejtë kauza e opozitës? Janë apo nuk janë të vërteta dhe të rënda arsyet e saj: kanabizimi dhe kriminalizimi i shndërruar në skemë elektorale nga Edi Rama. Këtu është vija e demarkacionit.
Çështja e zgjedhjeve nuk u mbyll sot. Ajo sapo është hapur. Kemi hyrë në një etapë që kërkon kompaktësim të opozitës me vetëdijen se kjo është rruga, por edhe në respekt të atyre mijëra protestuesve që kanë shtatëdhjetë ditë që protestojnë. Është një sakrificë e madhe që do të vazhdojë në Kavajë në fund të javës dhe për ditë e javë të tjera anembanë vendit. Kauzat e mëdha kanë firot e tyre. Që kompensohen me qëndrime dhe me një drejtim që rrit mbështetjen e qytetarëve. Basha dhe opozita duhet të vazhdojnë të eskpozojnë brenda dhe jashtë vendit arsyet e protestës, të vazhdojnë të ngulmojnë për bashkimin në një paketë të qeverisë teknike me vetingun, madje për të hedhur poshtë përfundimisht blofin e Edi Ramës, le ta nxjerrin vetingun para qeverisë teknike. Basha duhet të përvijojë edhe në këto kushte ekipin e ri të së ardhmes. Ndërkombëtarët kanë ardhur e po vijnë dora-dorës tek arsyet e opozitës. Rruga ka qenë plot zigzage, por disa hapa të mëdhenj janë hedhur. Por, në fund të fundit, vendimet e mëdha janë të qytetarëve. Rrugën e re të opozitarizmit në vend e shënon Kavaja këtë fundjavë dhe do ta vazhdojë mbarë vendi pastaj.
Discussion about this post