Trajneri i kombëtares shqiptare, Edy Reja, ishte mjaft i zhgënjyer nga humbja në Islandë. Për RTSH dhe Supersport ai deklaroi:
HUMBJA: “Më vjen keq, sepse nuk luajtëm keq, sidomos në fillim. Ata nuk bënë ndonjë gjë të madhe, përveç lojës ajrore. Luajtëm më mirë, e kërkuam golin deri në fund, kur ranë fuqitë. Mëkat, sepse patëm dy raste për gol në fillim, patëm raste edhe në pjesën e dytë. Mbetet fakti që luajtëm mirë, luftuam shumë dhe krijuam raste. Për rezultatin më vjen shumë keq, jam i tërbuar, sepse ishte edhe një penallti në favorin tonë. Mëkat, fati nuk qenka me ne”.
GOLI I PËSUAR: “Goli erdhi në qendër, me 3 mbrojtës. Kur dikush niset në sulm, nuk mund të driblojë 3 lojtarë. Ndoshta mund të bëhet një faull taktik, nuk mund të bëhet ai gabim aty, edhe pse lojtari depërtoi bukur dhe u tregua i zoti. Patëm 3 mundësi ta ndalnim, ishte një gabim fëminor, i pafalshëm”.
LODHJA: “Të shohim, disa lojtarë vrapuan pa fund, si Abrashi, Xhaka e të tjerë. Do të bëjmë ndryshime për ndeshjen e radhës, për të rifreskuar ekipin. Skuadra lëvizi mirë, ishim mirë dhe e vendosëm në vështirësi Islandën, ndaj jam i kënaqur, por duhej rezultati. Loja me topa të gjatë? Nuk ishte zgjedhje e jona, por u bënë bashkë një seri faktorësh që e bënë të detyruar këtë mënyrë loje”.