Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka dorëzuar sot rekomandimet e reja për procesin për formimin e institucioneve të rivlerësimit (vetingut), të cilat zëvendësojnë rekomandimet e nxjerra nga ONM më 3 mars 2017.
Në vijim të Vendimit nr. 18/2017, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 16 mars, ONM ka riorganizuar ekipin e tij të vëzhguesve ndërkombëtarë, të përbërë nga anëtarë të nivelit të lartë nga gjyqësori i Shteteve Anëtare të BE-së dhe nga Shtetet e Bashkuara.
Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së kanë konfirmuar se stafi i Zyrës së Avokatit të Popullit ka kryer detyrat e veta në përputhje me ushtrimin e mëparshëm, me saktësi dhe angazhim serioz. Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së kanë përfunduar tashmë vlerësimin e tyre të pavarur të dosjeve të plotësuara. Edhe një herë, të gjitha aktivitetet monitoruese nga vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së u kryen në mënyrë të plotë, duke punuar në bazë të bashkëpunimit të ngushtë me institucionet dhe autoritetet përkatëse në Shqipëri, të cilët mbetën të angazhuar për të asistuar dhe për të mbështetur punën e tyre.
Sot, Kryetarja e ONM-së, Znj. Genoveva Ruiz Calavera i dorëzoi Avokatit të Popullit të Shqipërisë rekomandimin e rishikuar të ONM-së, në një zarf të mbyllur për t’iu dërguar Kuvendit.
Bazuar në kontrollet mbi kriteret e kualifikimit të kryera nga komisioni i vlerësimit në Zyrën e Avokatit të Popullit, u publikuan dy lista të konsoliduara:
84 aplikantë janë vendosur në listën e kandidatëve të cilët përmbushin kriteret formale. Nga këta, 17 janë vlerësuar me rekomandim negativ nga ONM;
109 aplikantë janë vendosur në listën e kandidatëve, të cilët nuk përmbushin kriteret formale.
Nga këta, 70 janë vlerësuar me rekomandim negativ, 39 nuk janë vlerësuar me rekomandim negativ, por ekspertët ndërkombëtare pajtohen me anëtarët e komisionit të vlerësimit të zyrës së Avokatit të Popullit që këta kandidatë nuk përmbushin kriteret formale.
Për rrjedhojë, 67 aplikantë mbeten të përshtatshëm për listën përfundimtare të votimit për shqyrtim nga Kuvendi.
Tashmë është përgjegjësia e Kuvendit të Shqipërisë të emërojë anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, në mënyrë që zbatimi i procesit të rivlerësimit të mund të fillojë pa vonesa të mëtejshme. ONM shpreson në fillimin e zbatimit të procesit të rivlerësimit, për t’iu përgjigjur pritshmërisë së qytetarëve të Shqipërisë për një sistem gjyqësor plotësisht të pavarur, të paanshëm, llogaridhënës dhe profesional. (E.K/SHUPLAKA)