Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj rrezikon të lërë pozicionin e tij për shkak të disa deklaratave politike të bëra gjatë fushatës për zgjedhjet vendore. Malaj, i cili njihet si një kritik i kryeministrit Edi Rama, është propozuar nga qeveria që të shkarkohet.
Sot janë zbardhur edhe argumentet e plota se përse mazhoranca nuk e do më në detyrë Arben Malajn. Sipas relacionit të depozituar në Kuvend, Malaj nuk ka folur në publik për çështje që mund t’i interesojnë shoqërisë, por thjesht ka hedhur akuza politike.
“Në asnjërin prej rasteve të daljeve publike të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, ato dalje nuk i kanë shërbyer interesit më të mirë të përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, si dhe të gjithë sistemit bankar në Shqipëri.
Në asnjërin prej rasteve të daljeve publike të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës nuk është marrë parasysh karakteri publik i funksionit që ushtron si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe kjo natyrë sjelljeje nuk ka qenë dhe nuk i ka shërbyer aspak ruajtjes dhe nxitjes së besimit në publik lidhur me institucionin e Bankës së Shqipëris.
Në asnjërin prej rasteve të daljeve publike të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrësnuk reflektohet përgjegjësi institucionale në raport me temat e trajtuara dhe qëndrimet publike të mbajtura për to dhe nuk reflektohet aspak niveli i nevojshëm i ndërgjegjshëm për rëndësinë e detyrave dhe të përgjegjësive, si përfaqësues i organit më të lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Secila prej daljeve publike të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës dhe të gjitha rastet së bashku mund të çojnë në konkluzionin që temat e trajtuara dhe qëndrimet e shprehura mund të kenë ndikim negativ mbi detyrimet që ka ai ndaj Bankës së Shqipërisë dhe duke qenë se ato shprehin qëndrime dhe vlerësime që janë pjesë e analizave politike të lidhura me grupime politike, besojmë se ato dëmtojnë imazhin e Bankës së Shqipërisë”, thuhet midis të tjerash në relacion.
(M. I./ Faxweb.al)