Të paktën 20 persona, mes tyre dhe fëmijë kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme me shenja helmimi në urgjencën e spitalit të Durrësit, pasi kishin qenë pjesë e një ceremonie martesore ditën e djeshme. Edhe pse policia e Durrësit raportoi për 5 persona të helmuar, burime bëjnë me dije se përmasat e helmimit janë më të mëdha, por një pjesë e mirë e personave pas marrjes së ndihmës së parë në ambientet e urgjencës janë larguar për në banesë.
Në ambientet e spitalit të Durrësit qëndrojnë ende 5 persona, gjendja e të cilëve paraqitet më serioze, ndërkohë që policia ka arrestuar dy persona për ngjarjen. Burimet i thanë gazetares Kloida Gjuzi se dasma në fjalë është organizuar në lokalin “Delta event’ që gjendet në afërsi të autostradës Tiranë-Durrës dhe të arrestuarit janë pronari i këtij biznesi Pajtim Kaçani dhe kuzhinieri Bledar Hasa.
Mbetet e paqartë se çfarë e ka shkaktuar helmimin masiv, ndërkohë që personat janë të afërm dhe të njohur mes tyre, duke qenë se të gjithë kanë qenë pjesë e të njëjtës ceremoni. Situata ka vënë në alarm të gjithë personelin mjekësor të urgjencës së Durrësit, të cilët iu kanë dhënë ndihmën e parë personave të helmuar, ndërkohë që hetimet për ngjarjen janë duke vijuar ende.
Analiza po kryhen dhe në mostrat e ushqimeve që janë marrë nga lokali ku u helmuan personat.
Fax News ka siguruar edhe dëshminë e pronarit të lokalit dhe kuzhinierit.
“Ska pasur probleme me ushqimin edhe transporti është bërë brenda normave ccdo produkt ka qenë i freskët”, ka thënë Kaccani, ndërkohë që kuzhinieri është shprehur:
Gatimi i ushqimit është bërë në mënyrë korrekte, produktet po ashtu kanë qenë të fresketa kam qenë i kujdessheëm si gjithmonë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit P. K., 50 vjeç (pronari i një restoranti) dhe B. H., 33 vjeç (kuzhiner), të 2 banues në Durrës, pasi ditën e djeshme, gjatë një ceremonie martesore, dyshohet se janë helmuar nga ushqimi 5 shtetas të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
(E.K/Faxweb.al)