Arkansasi i Shteteve të Bashkuara të hënën shënoi rekord të ri të personave të hospitalizuar për shkak të koronavirusit.
Ky shtet amerikan raportoi rritje për 103 në numrin e hospitalizimeve, që ishte rritja më e madhe ditore. Kështu, numri i personave të hospitalizuar me Covid-19 shkoi në 1.376. Rekordi i mëparshëm shtetëror ishte shënuar në janar – 1.371.
Departamenti i Shëndetësisë raportoi se në Arkansas kanë mbetur vetëm edhe tetë shtretër të lirë në repartet e kujdesit intensiv. Në Arkansas janë 509 pacientë në repartet e kujdesit intensiv dhe 286 në ventilatorë.
Guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinston, në rrjetet sociale shkroi: “Raporti i sotëm shfaq disa shifra shumë shqetësuese”, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Sipas shifrave të hartuara nga hulumtuesit e Univesitetit “Johns Hopkins”, Arkansasi është shteti i tretë i ShBA-së sa u përket rasteve të reja me Covid-19 për numër banorësh. Numri i rasteve është rritur shumë në javët e fundit, i nxitur nga varianti Delta dhe shkalla e ulët e vaksinimit.
Deri më tani, vetëm rreth 37 për qind e popullsisë 3-milionëshe është e vaksinuar plotësisht, që është shifër më e ulët në krahasim me shumë shtete tjera të ShBA-së.