Imazhet satelitore zbulojnë se Kina ka ndërtuar një kopje të distriktit presidencial të Taipeit në Mongolinë e Brendshme të largët, duke nxitur spekulimet se Pekini synon ta përdorë vendin si një terren trajnimi për t’u përgatitur për një pushtim të ardhshëm të Tajvanit.
Imazhet satelitore tregojnë një kopje të detajuar të zemrës së Taipeit – megjithëse e rrethuar nga peizazhi i thatë i Mongolisë së Brendshme në vend të vegjetacionit të harlisur të Tajvanit. Të postuara fillimisht në mediat sociale nga një analist tajvanez i të dhënave, më 26 mars, ato u kapën më vonë nga faqja e internetit Taiwan News, nën titullin ogurzi: “Kina krijon modelin e Taipeit për të trajnuar për pushtim”. Sim Tack, një analist në firmën e inteligjencës Force Analysis, e cila monitoron zonat e konfliktit dhe ka akses në imazhet satelitore, tha se ndërtimi i kopjes filloi në mars 2021 dhe zgjati afërsisht një vit.
Ai tha se siti përmban ndërtesa dhe fasada “që janë të frymëzuara nga ajo që mund të shihni në Taipei, pa pasur saktësisht të njëjtën madhësi apo formë”.