Ministri i Jashtëm maqedonas Nikola Poposki, nuk i ka pritur mirë deklaratat e ministrit tonë Ditmir Bushati.
Më 9 janar, Ministri ynë i Punëve të Jashtme është shprehur se në Maqedoni nuk janë respektuar tre elementët themelorë të Marrëveshjes së Ohrit.
“Barazia, liria dhe demokracia, si 3 elementë themelorë të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur, çfarë të lë një përshtypje apo shije të hidhur, që kemi të bëjmë me dy komunitete, që në fakt janë shtetformues, sllavo-maqedonasit dhe shqiptarët, të cilët pak komunikojnë me njëri-tjetrin”, ishte deklarata e Bushatit.
Së fundmi, ministri Poposki ka deklaruar se termi “sllavo-maqedonas” nga ana e Bushatit është i gabuar.
“Mënyra sesi dikush përdor një term të caktuar është ndoshta reflektimi i respektit dhe edukimit të tij. Ne jemi maqedonas dhe asgjë më shumë e asgjë më pak. Asnjë demokrat nuk do të ndiejë nevojën për të na etiketuar në një kontekst fisnor. Sot Europa ka nevojë për një fjalor kulturor të 2017-s, e jo të 1913-s”, ka thënë Poposki.
Televizioni “Top Channel”, ka kontaktuar sërish me Bushatin pas deklaratave të homologut të tij.
Por, sërish Bushati ka insistuar në faktin se Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje ndërmjet dy komuniteteve kryesore, shtetformuese në Maqedoni, por është edhe një marrëveshje që ofron hapësirë për më shumë liri, barazi dhe për më shumë demokraci në Maqedoni. (D.D/Shuplaka)