Për gjithsecilin prej tyre vizita në Kinë ishte hera e parë. Ndaj dhe dëshira, kurioziteti dhe interesimi ishin ato që do t’i shoqëronin sapo vunë këmbën në avionin që u nis nga Rinasi në atë të mërkurë të 26 nëntorit. 36 turistë shqiptarë do të zhvillonin një vizitë turistike në vendin e madh, për të cilin kishin dëgjuar, lexuar apo parë filma dhe dokumentarë. Agjencia turistike ATHS, lider në tregun turistik shqiptar, organizonte për të disatën herë ture turistësh shqiptarë në Kinë. E kishte bërë në 2016, 2017 dhe në 2018. Por grupi i nëntorit ishte i pari që pas hapjes së Kinës për turizëm në periudhën e post–pandemisë. Besnik Vathi, president i agjencisë më thotë se ka një interes në rritje për të vizituar Kinën. Arsyet ai i gjen tek lidhjet e dikurshme që kanë ekzistuar mes dy popujve e vendeve tona, tek një lloj kurioziteti që shqiptarët kanë për një vend të madh me histori, kulture, zhvillim e kulinari. E pyes nëse Agjencia që ai drejton ka planifikuar ture të tjera në Kinë. Vathi shprehet optimist për vijueshmërinë e kësaj linje. ”Turi i radhës do të jetë në muajin mars”,–më thotë ai,– “dhe kërkesat për të vizituar Kinën sa vijnë e rriten”.
Ndalesa e parë e grupit do të ishte qyteti i Shenzenit. Me të 13 milionë banorët e tij Shenzeni konsiderohet si ekonomia e tretë me e zhvilluar e Kinës. Qyteti mori hov dhe zhvillim në vitet ‘80 të shekullit të kaluar duke u kthyer në një njyje lidhëse mes Hong Kongut e Kinës. Aktualisht ai konsiderohet si qendra më e rëndësishme elektronike e vendit ose siç e quajnë ndryshe “Silicon Valley” kinez. ”Shenzeni ishte një qytet i stërmadh që na goditi me ndërtesat e larta dhe bulevardet e gjera”– më tregon Dhurata Qendro. E sapo dale në pension, Dhurata e kishte për herë të parë Kinën dhe fliste me entuziasëm për pastërtinë e qytetit, për rregullin dhe kulturën e kinezëve në respektimin e trafikut, të dimensioneve të metrove, të autobuzeve moderne apo të dyqaneve pa fund. ”E megjithatë –shton ajo– një ditë qëndrimi në qytetin e stërmadh ishte fare pak kohe…”
Stacioni i radhës Shangai. Një qytet me 30 milionë banorë. Një megapol i cilësuar si “mbretëresha e Orientit”. Një qytet përbindësh ku vibron një atmosferë kozmopolite e vrullshme dhe vibrante. ”Nuk mund të thuash se ke vizituar Kinen pa prekur një herë Shangain,” më thotë Muharrem Mezini, një pensionist, pjesëtar i grupit turistik. Dhe të dy ditët e qëndrimit në këtë megaqytet i mjaftuan grupit të bëhej pjesë e dimensioneve të Shangait, të traditës ,muzeumeve, kulturës, historisë dhe futurizmit të tij. Shangai Tower, gradaçelat e Pudongut, një shëtitje në pedonalen Nanjing, apo një çlodhje në kopshtin Juyuan ishin disa nga destinacionet që grupi i turistëve shqiptarë shijuan përgjatë dy ditëve të qëndrimit në qytet. ”Shangai ishte përtej, ishte një goditje dhe një “woow”– më thotë Muharremi,–madje më impresionues se edhe vetë kryeqyteti i vendit Pekini”. Por duket se nuk është i këtij mendimi Edera, nje tjetër anëtare e grupit. Për të Pekini është sa antik edhe modern.” E kishe të vështire të dalloje se cila pjesë e qytetit të godiste më shumë, të impresiononte më tepër”, më thotë Edera sipas së cilës Pekini kishte një mister të cilin që ta zbuloje duhej të qëndroje me javë dhe jo vetëm dy-tri ditë. Qyteti i Ndaluar. Muri i Madh, Pallati i Verës, Parku Olimpik apo sheshi Tien An Men ishin disa nga destinacionet ku grupi i shqiptarëve ndaloi gjatë qëndrimit në kryeqytetin e vendit. ”Gjithcka në Pekin– më thotë ajo –ishte një kalim, një udhëtim sa në lashtësi aq edhe në modernitet. Sepse nëse doje të bëje një udhëtim në kohë mjafton të eksploroje Hutong, lagjen tradicionale të Pekinit ku gjithçka të çonte shekuj më pas. Por nëse të kish marrë malli për jetën frenetike të natës, për ndërtesat dhe gradaçelat moderne, për një botë vibrante e të vrullshme mjafton të hidheshe dy hapa më larg dhe gjendeshe në Pekinin e shekullit të 21”. Edera më tha se nuk do ta ndërronte Pekinin me asnjë qytet tjetër të Kinës.
Por Rexhep Kasmi nuk mendon kështu. Sipas tij nuk mund të thuhet se Pekini është më i bukur se Shangai, se Suzhou është më tërheqës se Hangzhou apo se në Guanzhou do të gjesh atraksione më interesante se në Nanking. Rexhepi, që është edhe guida shqiptar i grupit të turistëve nxiton të shtojë se çdo qytet në vend ka historinë e tij, kulturën e tij, guzhinën si dhe një seri veçanësish dhe karakteristikash të tjera që e dallojnë atë nga të tjerët. ”Ndoshta është kjo arësyeja –më thotë ai,–që çdo qytet i madh apo i vogël, i qëndrës apo i periferisë së Kinës ka bërë që ky vend të jetë një univers unikal që ja vlen të vizitohet”. Sipas zotit Kasmi, i cili e ka për të disatën herë vizitën e tij në Kinë, të bësh turistin në këtë vend apo udhëtarin aventurier, do të thotë të jetosh eksperiencën e jetës, të fotografosh e të mbash në memorie tempuj e pagoda, monumentet dhe parqet, shtëpitë tradicionale dhe gradaçelat tronditëse. ”Të jesh udhëtar në Kinë do të thotë të prekësh, të jetosh dhe të bëhesh pjesë e metropoleve gjigande të tejpopulluara ku ti prek dhe ndjen ritmin frenetik të një shoqërie që duket se jeton në 30 vitet e ardhshme. Të gjitha këto i prekëm nga pak kudo ku qëndruam e vizituam” më thotë Kasmi i cili nuk harron të falenderoj edhe guidën kineze të agjencisë simotër, Valon Zhangun, pa të cilin nuk do të shijohej e të eksplorohej ajo pjesë e Kinës e cila mikëpriti për një javë turistët nga vendi i vogël ballkanik. Muharremi, por edhe Dhurata, Edera apo Besmiri më shprehën se do të donin të riktheheshin edhe njëherë në Kinë sepse, siç më thanë u ka mbetur pa parë e shijuar Kina tjetër, ajo e brendësisë së kontinentit, atje ku merr jetë një botë tjetër peizazhesh si në përralla, atje ku habitati natyror është i pamatë dhe ku gjallon jeta e kinezit të thjeshtë i cili vrapon në heshtje dhe me bindjen për ta bërë më të bukur e më të fuqishëm atdheun e tij.
Rezear Xhaxhiu