Edhe sot, siç ishte parashikuar, kryedemokrati Lulzim Basha e ka vazhduar betejën në çadrën ngritur prej më shumë se 40 ditësh. Edhe pas zhvillimeve mes Ramës dhe Metës, ku Meta u tregua i qartë se nuk hynte në zgjedhje pa opozitën dhe vënies në dispozicion për dialog të Ramës, Basha vazhdon atë që ka nisur nga sheshi para Kryeministrisë.
”Një grusht kriminelësh të lidhur me ta, kjo është kupola e republikës së vjetër, kjo është qeveria e krimit dhe korrupsionit”, ka theksuar Basha. Sipas Bashës shqiptarët po trajtohen si ”Një tufë delesh që u vazhdon t’u jepet bar sa mos të vdesin dhe vazhdon t’u vilet qumështi dhe leshi”.
”Ne jemi këtu me një zotim për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje për Republikën e Re. Kjo betejë ka ardhur duke u ngritur”, ka vazhduar më tej Basha.
FJALA E BASHËS:
”Gjendje e mjeruar e sipërmarrjes së vogël dhe të mesme, gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi…Sa më mirë sipërmarrja aq më mirë ekonomia, aq më shumë vende ka. Sa më keq sipërmarrja, sa më e keqe klima e biznesit, vendet e punës mbyllen dhe nuk ka asnjë siguri për nesër, pagat mbeten në vend numëro.
Ky është realiteti që ju e njihni fare mirë. Përfaqësuesit e sipërmarrjes folën këtu dhe ata që flasin në këtë çadër të lirë përfaqësojnë mijëra anëembanë Shqipërisë.
Republika e vjetër është komploti më i madh në 100 vitet e fundit, është republika e kukullave që bëjnë teatër nga mëngjesi deri në darkë. Republika e vjetër është një komplot kundër çdo qytetari, i ri apo i moshuar, me shkollë të lartë apo të mesme, Republika e vjetër mos harroni është një komplot kundër gjithsecilit prej jush, kundër të gjithëve bashkë, kundër popullit shqiptar.
Para se të jetë një komplot politik është para së gjithash është një komplot ekonomik.
Komploti i komploteve të Republikës së Vjetër është ekonomik. Si mundet të mbahet në pushtet një klikë, që me paratë e taksave të rritura nuk bën asnjë investim.
Ndodhemi në një javë vendimtare të zhvillimeve. Republika e vjetër do të shpresojë që përmes një dialogu fasadë të arrijmë zgjidhje fasade ku opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave në shkëmbim të pazareve, jo në interes të shqiptarëve, por të kupoles.
Me pak fjalë që opozita të marrë llokmën e saj në kupolën kriminale të republikës së vjetër. Kjo është shpresa e tyre. Orët në vijim do ta shpalosin këtë. Por jam po aq i vendosur dhe më i inkurajuar se kurrë sepse e di që në këtë përballje nuk përfaqësoj as interesat e mia apo të PD-se por përfaqësoj interesat e shqiptarëve që janë forca dhe siguria e Republikës së Re.” (V.G/SHUPLAKA)