Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur sot se gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut në zonën veriore dhe në zonën juglindore të vendit kanë vazhduar reshjet e dëborës shoqëruar me rënie të temperaturës nën 0 °C
Sipas ARRSH-së, reshjet e dëborës filluan edhe në Rajonin Qendër-Perëndim, në akset Krujë-Sarisalltik dhe trau Dajt-Teleferik.
Ndërsa reshje dëbore ka pasur edhe në Llogora, ku është punuar me mjetet borëpastruese dhe shpërndarjen e kripës, qarkullimi vazhdon pa probleme.
ARRSH informon se në Rajonin Verior në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura e Zapodit-Shishtavec, Pukë-Fushë-Arrëz-Kalimash, Kukës-Bushtricë, Kukës-Krumë, Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh, Bogë-Theth, Qafë Mali-Fierzë, Ura Bujan-Qafë Morinë gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet të lartë. Mjetet borëpastruese kanë vijuar punën pa u ndalur dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Në Rajonin Jugor, në akset Korçë-Ersekë, Boboshticë-Dardhë, Voskopojë, Qafë Thanë kanë vazhduar reshjet e dëborës me intensitet mesatar, rrugët janë të pastruara dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë, dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.