Nga Ervin Resuli
Skandalet me sigurinë ushqimore konsiderohen të parëndësishme nga ana e ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila e ka edhe në varësinë e saj këtë përgjegjësi. Pas deklaratës së kësaj ministrie, ku pritshmëritë ishin që të vendoseshin pikat mbi “i” ne lexuam një tjetër deklaratë të ministrisë se jemi më mirët dhe se jemi në rrugë të mbarë, aq sa edhe Bashkimi Europian na ka zili.
Jo vetëm si mjek veteriner, fermer dhe njohës i mirë i fushës, por edhe si një qytetar i thjeshtë kam disa pyetje për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Pse ndodhi gjithë kjo zhurmë, lind pyetja midis nesh? Pse konsumatorët ndikohen kaq shpejt nga një emision në media? Pse ministri Çuçi nuk degdis dyerve të gjykatës televizionet dhe potalet që kanë deformuar të vërtetën, apo nuk kanë të drejtë?
Nga ana tjetër, pse nuk hetohen ata të cilët kanë dëmtuar prodhimin dhe e kanë nxjerrë në treg? Pra të fillojë një hetim i qartë për të gjitihë këtë situatë dhe të shkojë haku tek i zoti. Apo ka vërtet diçka që fshihet dhe ministria po rri në pritje derisa të shpërthejë skandali i rradhës dhe të harrohet ky aktuali.
Gjithësesi, për të qenë trasparentë unë ngre këto pyetje dhe pres realisht që instancat të përgjigjen zyrtarisht.
Si është situata në Shërbimin Veterinar Shtetëror, si po funksionon ai? Po shërbimi Veterinar Privat?
A janë burimet njerëzore në nivelin e duhur profesionalisht si dhe nga numri I tyre për të përballuar të gjithë punën?
A janë të pajisur me mjetet e duhura veterinerët e punësuar në Shërbimin veterinar Publik për të kryer detyrën shtetërore?
A është plotësuar kuadri ligjor për Klinikat Veterinare? Sa e kryejnë detyrën e tyre veterinerët e bashkive?
Si mjek veterinar dhe si koleg i veterinerëve që bëjnë deyrën, me keqardhje shprehem se, veterinerët e punësuar, nuk mund të plotësojnë detyrën që ju përcakton ligji. Kjo sepse këta veterinerë janë lënë pa mbështetje, të patrajnuar në mënyrë periodike. Madje skandali shkon edhe më tej, duke pasur mungesë stafi në disa prej zyrave veterinare, iu referohem saktësisht agjencive veterinare si në Shkodër, Elbasan, Vlorë e Tiranë. Se dyti, për shkak të punës time të përditëshme, kam të tjera pyetje për Autoritetitn Kombëtar të Ushqimit. Laboratorët e AKU-së, përveç lagështirës, nuk bëjnë ngarkesë preparatesh apo pesticidesh në produktet bujqësore. Dëshiroj të di, me informacion zyrtar dhe njëkohësisht të besuar, a kanë staf të trajnuar për laborator ushqimor apo veterinar laboratorët rajonalë? A kanë makina për të lëvizur dhe kryer detyrën, inspektorët e AKU-së?
Meqë vij nga terreni dhe dëshmoj me prezencë time, me keqardhje të madhe shprehem se gjëndja e tyre është për të ardhur keq. Ndaj vazhdoj të kërkoj informacion, se përse inspektorët e AKU-së mblidhen tek kafja para zyrës dhe bëjnë bashkë lekët e naftës e më pas planin e punës? Ndaj dua të di, si mjek veteriner, si qytetar por edhe si koleg i atyre që po punojnë pa mjetet e duhura.
E treta kërkesë që kam. Ju lutem, informohuni para se të dilni në deklaratë, sepse deklarata që keni bërë pëe gaancinë e çertifikimit, është fyese. Po ju bëj me dije se: HACCP nuk është çertefikatë ndërkombëtare. Z.Minister, Bledi Çuçi, HACCP është (Hazard analysis and critical control points) ose e shqipëruar “Analiza e Rrezikut dhe Kontrolli i Pikave Kriteke”. HACCP është një manual që subjekti e plotëson vetë dhe mund ta krijojë vetë ose ndonjë ekspert i fushës, kundrejt pagesës. Është një manual që të gjithë që e kanë, hasin vështirsi në plotësimin e saj, sepse origjina e lëndës së parë ka mangësi dokumentacioni nga instancat shtetërore.
Edhe pse mendoj që nuk është e nevojshme ta them, ky shkrim nuk është politik, as advokaci për grupe të caktuara. Ky shkrim dhe kjo kërkesë për përgjigje është për fëmijët tanë, për brezin që po rritim me ushqime importi apo vendi nga tregtarë të pa përgjegjshëm. Ky shqetësim është edhe për ne vetë. Dhe meqë nuk mund të shqetsoheni për fëmijët e të gjithëve, ndaj kërkoj të mbroni fëmijët tuaj të gjithë ju deputetë, ministra, kryetarë bashkish, drejtora dhe tregtarë.