Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe përkrahja e anëtarësisë së saj në organizatën ndërkombëtare të UNESCO-s acaron marrëdhëniet e Serbisë me shtetet fqinje, por kjo sipas tij, nuk do të thotë se Serbia do të ndërmarrër diçka bilaterale kundër shteteve fqinje.
Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, ai ka thënë se Serbia ka gabuar që e ka njohur Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, pasi kjo e fundit e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Daçiç ka thënë se nuk bëhet fjalë për hakmarrje por për “reciprocitet në politikën e jashtme”.
“Serbia ka bërë një gabim shumë të madh për këtë. E tërë Evropa dhe bota përdorë emërtimin Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ndërsa ne vëllezërit tanë grekë i kemi goditur në fytyrë ndërsa tani presim nga Greqia të mos e njohë Kosovën, e ne e kemi njohur Maqedoninë duke lënduar Greqinë kurse ata (maqedonas) gjithmonë votojnë për Kosovën. Më duhet të them se jemi budallenj. Ja, do të përdorë një term jodiplomatik”, është shprehur kryediplomati serb, raporton “Shenja”.
Daçiç ka theksuar se Beogradi në marrëdhëniet bilaterale në Shkup do ta përdor emrin kushtetues, për në aspektin multilateral do ta përdor emrin që e përdorin Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara – IRJM.
Ai shtoi se pret me padurim të paraqitet në organizatat ndërkombëtare ndonjë qëndrim që është i rëndësishëm për Maqedoninë e Malin e Zi dhe atëherë do të shohin si do të veprojë Beogradi zyrtar. (A.R/SHUPLAKA)