Reagon akademiku Rexhep Qosja për arrestimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Haradinaj u arrestua në aeroportin e Bazelit nga autoritet franceze, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë. Ndërsa autoritetet serbe kërkojnë ekstradimin e Haradinajt, Qosja thotë se ai do të kthehet shpejt në Kosovë.
REAGIMI I PLOTË I QOSJES:
ÇKA DUHET TË MËSOJMË NGA ARRESTIMI I FUNDIT I RAMUSH HARADINAJT?
Ramush Haradinaj do të na kthehet shpejt në Kosovë dhe do të na kthehet krenar e heroik si gjithmonë.
Por, arrestimi i Ramush Haradinajt prej Gjykatës franceze mbas lëvizjes së lirë në vendet e mëdha të BE-së e edhe në vetë Francën, para disa muajsh, na solli pezmatim të pamatshëm në njërën anë ndaj kësaj gjykate, kurse në anën tjetër ndaj oligarkisë sonë politike.
Ky arrestim na bën aq të pezmatuar ndaj Gjykatës franceze me përvojë shumë shekullore sepse ajo arrestoi çlirimtarin shqiptar Ramush Haradinaj edhe pse ai dy herë, pas dy gjykimeve, u shpall i pafajshëm prej Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, në themelimin e së cilës kishte marrë pjesë edhe vetë Franca.
Ky arrestim i çlirimtarit shqiptar na bën aq të pezmatuar sepse Gjykata franceze e arrestoi Ramush Haradinajn në baze të aktakuzës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe të bashkëpjesëmarrësve të tij në krimet e shumëllojshme në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë, kryetarit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.
Arrestimi i Ramush Haradinajt na bën aq të pezmatuar edhe për shkak se gjykata në fjalë është gjykatë e shtetit të Francës që me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e kjo domethënë edhe me njërin nga komandantët e saj, mori pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës prej dhunës e terrorit të Sllobodan Millosheviqit, domethënë mori pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës prej pushtimit të Serbisë.
A mos është çudi e madhe kuptimore dhe etike arrestimi i një çlirimtari të Kosovës prej atyre që me të kanë marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës?!
Arrestimi i Ramush Haradinajt na shkakton pezëm të madh edhe ndaj oligarkisë sonë e cila qe sa vite bën bisedime politike me Serbinë për çështje të ndryshme midis dy shteteve, por asnjëherë pa kërkuar që të anulohen aktakuzat ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dhe më tej, arrestimi i Ramush Haradinajt na shkakton pezëm të madh edhe ndaj oligarkisë sonë e cila me politikën e saj dritëshkurtër, servile, të frymëzuar mbi të gjitha prej karrierizmit vetjak e formoi Gjykatën e Veçantë dhe me të deshi s’deshi i kontribuoi edhe këtij arrestimi të Ramush Haradinajt.
Nuk është e lehtë të kuptohet pse vendet që morën pjesë në luftën çlirimtare të Kosovës krijojnë gjykatë të veçantë për gjykimin e çlirimtarëve shqiptarë! Dhe, është aq më vështirë të kuptohet pse aq lehtë oligarkët tonë politikë e ndërrojnë Kushtetutën vetëm e vetëm për të shprehur pajtimin e tyre me formimin e asaj gjykate unike në botë.
As pas sa vitesh pavarësi, as pas njohjes nga 112 shtete, as pas aq shumë shprehjesh për “meritat” vetjake politike e shtetërore, oligarkia jonë nuk arriti të shquajë mëvetësinë, prandaj as dinjitetin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet me shtetet e tjera, madje, po të shohim qartë e pa ngurrim nga vetëkritika objektive, as në bisedimet me pushtuesin e dikurshëm, Serbinë.
Arrestimi i Ramush Haradinajt tregon se çfarë goditje i kemi dhënë vetes dhe luftës sonë çlirimtare me atë gjykatë!
Përkushtimin atdhetar të tij dhe të familjes së tij ndaj Kosovës, ndaj lirisë dhe pavarësisë së saj, Ramush Haradinaj po e paguan shumë shtrenjtë: me dy gjykime në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe me dy arrestime – herën e parë në Slloveni dhe tash në Francë.
Por, këto janë sakrificat e shtrenjta me të cilat idealistët jo rrallë gjatë historisë e kanë paguar idealizmin e tyre atdhetar. (V.G/SHUPLAKA)