‘’Lulzim Basha ta provojë në votime”, ky ka qenë komenti i vetëm që ka bërë Rexhep Rraja në dalje të Gjykatës së Krujës, për gazetarët që ndodheshin aty që në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ai është lënë në burg nga Gjykata e Krujës me kërkesë të prokurores Elisabeta Imeraj, ndërsa do të qëndrojë në paraburgimin e Durrësit, derisa të përfundojnë hetimet dhe të jepet pretenca.
Djali i deputetit të PS-së nuk tha asnjë fjalë lidhur me akuzat për dhunimin e Xhisiela Malokut, duke preferuar që në dalje të Gjykatës të merret me politikë.
Babai i Rexhep Rrajas, Rrahmani ka qenë për disa vite në krye të Komunës së Niklës, një nga zonat ku udhëheqin dhe operojnë disa banda të rrezikshme kriminale, dhe puna e tij i ka siguruar fitoren Partisë Socialiste.
Masa e sigurisë me burg e konfirmuar ditën e sotme vjen vetëm për akuzën e përndjekjes, ndërsa dënimi maksimal që Rexhep Rraja mund të marrë është 5 vite e gjysmë burg.
Ditën e djeshme vetë Xhisiela Maloku në dy dalje të saj televizive ka dhënë deklarata kontradiktore, duke mohuar që të jetë dhunuar nga djali i deputetit të PS-së, ndërsa tha se nuk ndihej e rrezikuar për jetën e saj dhe të familjarëve.
Deklarata e Xhisielës janë konsideruar të bëra nën presion nga ana e psikologëve dhe gazetarëve në studio, po që janë mohuar nga vetë Xhisiela.
Ajo nuk ka pranuar që të merret nga mbrojtje as nga shteti, duke thënë se në asnjë moment nuk ka qenë e kërcënuar, ndryshe nga deklaratat e saj të bëra në komisariat, ku është shprehur se Rexhep Rraja i ka vendosur armë në kokë dhe e ka rrahur.
(E.K/FAXWEB.AL)