Rezistenca iraniane ka ardhur me një deklaratë pas ngjarjes në Manëz, ku me urdhër të SPAK policia zbarkoi në kampin MEK në vijim të hetimeve.
Sekretariati është shprehur që mbi 1000 policë shqiptarë kanë sulmuar papritur ku përmendin dhe martirizimin e një anëtari.
Ata i bëjnë thirrje Kombeve të Bashkuara për të garantuar sigurinë.
Sipas tyre, 100 njerëz u plagosën me urdhër të fashizmit fetar të Iranit.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit: Sulmi i papritur nga më shumë se 1000 policë shqiptarë në Ashraf 3, martirizimi i një anëtari të MEK-ut
Më shumë se 100 persona u plagosën nga gjuajtja me sprej piper, disa prej tyre janë në gjendje kritike
Me urdhër të fashizmit fetar që sundon Iranin, mëngjesin e sotëm, rreth 1000 policë shqiptarë sulmuan Ashrafin në një sulm kriminal dhe shtypës. Ata thyen shumë dyer, dollapë dhe pajisje, dhe sulmuan banorët me gaz lotsjellës dhe sprej piper. Shumë kompjuterë u prishën ose u morën.
Si rezultat i këtij sulmi kriminal, një anëtar i Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK), z. Ali Mostashari, u vra dhe më shumë se 100 njerëz u plagosën për shkak të gjuajtjes së policisë me sprej piper. Shumë prej tyre janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa disa janë transferuar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Veprimet e policisë shqiptare kujtojnë sulmet kriminale të forcave të Nouri al-Maliki në kampin Ashraf në Irak midis viteve 2009 dhe 2015.
Rezistenca iraniane kërkon që SHBA, qeveria dhe Kombet e Bashkuara, të cilat kanë garantuar sigurinë dhe mirëqenien e banorëve të Ashrafit në mënyrë të përsëritur, të dënojnë këtë sjellje kriminale dhe barbare dhe të japin garancitë e nevojshme për të parandaluar këto lloj sjelljesh të jashtëligjshme që shkelin në mënyrë flagrante shumë traktate ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën për Statusin e Refugjatëve, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Bashkimi Evropian, për anëtarësimin e të cilit Shqipëria ka aplikuar, duhet të dënojë këtë sulm brutal dhe të kërkojë llogari nga qeveria shqiptare për këtë sjellje.