Disfata e djeshme në shtëpi në përballjen ndaj Tetuës me rezultatin 1-3 ka bërë që drejtuesit e Kamzës të humbin durimin dhe të shkarkojnë menjëherë trajnerin, Klodian Duro.
Presidenti i klubit nga periferia e kryeqytetit, Naim Qarri ka marrë vendimin përfundimtar, pas paralajmërimeve publike për shkarkimin e Duros. Kësisoj Kamza bëhet ekipi i vetëm në Superligë që shkarkon dy trajnerë në 12 javë kampionat.
Gjatë aventurës në radhët e Kamzës, ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi ka arritur të marrë vetëm një fitore dhe tre barazime, ndërsa të tjerat vetëm humbje në 10 ndeshje zyrtare.
Përmes një komunikate për shtyp klubi bën me dije: “Klubi bën të ditur mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Klodian Duro. Duke e falënderuar trajnerin për kontributin e tij të palodhur, përkushtimin dhe gjithçka dha për skuadrën tonë, bëjmë të ditur se rrugët tona ndahen këtu. Mungesat e rezultateve na detyrojnë të bëjmë një zgjidhje tjetër në këtë moment. Trajnerit Klodian Duro i urojmë suksese në karrierën e tij në vazhdimësi dhe e konsiderojmë gjithnjë pjesë të familjes sonë”.