Me shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme është rihapur gara dhe për Kreun e Bashkisë së Kavajës.
Nëse më parë Klodian Shehi do të garonte përballë një kandidati të pavarur tashmë forcat politike do të futen në zgjedhjet e 25 Qershorit me kandidatë të rinj.
Kështu kanë paraqitur kandidaturat për këto zgjedhje në ndryshim nga më parë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike kanë paraqitur kandidaturat e tyre.
Kështu Partia Demokratike garon me Isa Sakja, i cili aktualisht mban postin e kryetarit të degës së PD-së Kavajë.
Lëvizja Socialiste për Integrim do të garojë me Maksim Konën. Kona, lindur më 27 prill të vitit 1958 dhe i diplomuar për inxhinieri ndërtimi në Torino, është i specializuar në projektim e supervizionim të ndërtimeve civile, ndërtimeve industriale, rrugëve, veprave të artit, impiante dhe hidrocentrale.
Vetë ai ka folur pas këtij vendim duke thënë se synimi i tij është të kontribuojë për qytetin e Kavajës.
“Synimi im është të kontribuoj për qytetin ku u linda dhe u rrita, përtej logove politike. Dua që të bëjmë dhe të zhvillojmë sa më shumë projekte për Kavajën. Në gjithë këto vite jeta ime dhe karriera profesionale është ndarë mes Italisë dhe Kavajës, ku në çdo moment kur kam mundur kam kontribuuar për qytetin tim”, -tha Kona.
Nga ana tjetër dhe Partia Socialiste ka njoftuar sot kandidatin e saj, i cili nuk do të jetë Klodian Shehi. Mesa duket kryeministri Rama pas rihapjesë së garës ka preferuar një tjetër emër.
Partia Socialiste do të kandidojë Dorian Muratin, drejtor i OSHEE në Kavajë për kreun e kësaj bashkie. Po kështu Murati më herët ka qenë drejton i ALUIZNI-t në këtë qytet. (E.K/SHUPLAKA)