Është rihapur pas 30-vjetësh teatri i kukullave në Lezhë i cili i çeli dyert me premierën e “Kësulkuqes”. Dikur në komunizëm teatër kukullash nuk kishte vetëm Tirana, por kishin shumica e qyteteve kryesore të vendit. Por këtë fakt nuk e kanë harruar ish aktorët e Lezhës që sot janë në pension.
Ata dhe disa të rinj të apasionuar pas akrimit i kanë kthyer pas 30 vitesh mungesë Lezhës teatrin e kukullave. Gjatë shfaqjes salla u tejmbush nga fëmijët dhe të rriturit. Kurioziteti dhe gëzimi i tyre ishte i papërshkruar kur ata ndiqnin në skenë përrallën më të dashur të interpretuar nga aktorët profesionistë, raporton kultplus.
Shfaqjen e ka ndjekur edhe kreu i Bashkisë Fran Frrokaj. Pas premierës Frrokaj u shpreh se rikthimi i teatrit mbetet një nga investimet serioze të njësisë vendore që ai drejton dhe se ky është vetëm një fillim i përkujdesjes që do të ketë bashkia për fëmijet, shkruan shqiptarja. ‘’Është një investim vërtet serioz, shpresoj që fëmijët tanë të rritet më ndryshe. Ky është një fillim i mbarë për bashkinë, gjithmonë fëmijët do të jetë në fokusin e bashkisë’’, u shpreh Fran Frrokaj, kryetar i Bashkisë Lezhë. Pritet që në qytetin e Lezhës të ketë shfaqje të tjera në ditët që do të vijnë.