Në kalanë e Gjirokastrës, pas rreth 30 vitesh janë rikthyer arkeologët. Ata po punojnë për evidentimin e gjetjeve të reja, që hedhin dritë mbi historikun e kësaj kështjelle me vlera unikale.
Ekspedita arkeologjike e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore është në ditët e para të gërmimeve ndërkohë që puna kërkimore dhe studimore do të vazhdojë përgjatë muajit korrik.
“Kemi disa ditë që kemi nisur një projekt të ri arkeologjik, i cili synon të identifikojë ato pjesë më të hershme të kalasë së Gjirokastrës nisur nga disa të dhëna që ne kemi identifikuar gjatë punimeve të mëparshme restauruese që janë kryer nga Drejtoria e Monumenteve në Gjirokastër ku kemi identifikuar disa elementë arkeologjikë, të cilat na kanë bërë të mendojmë që kemi disa faza më të hershme të këtij monumenti, të kësaj kalaje kaq të rëndësishme për ne që i takojnë periudhave të mëhershme jo vetëm asaj që njohim sot”, u shpreh Mareglen Meshini, arkeolog.
Kërkimet arkeologjike janë përqendruar në afërsi të hyrjes kryesore të kalasë ndërsa jashtë murit rrethues janë zbuluar fragmentet e para të një kulle guri që mendohet se i përket shekujve IV-VI e.s.
Arkeologët krahas zbulimit dhe evidentimit të gjetjeve të ndryshme synojnë pasurimin e hartës së vizitueshmërisë të kësaj kështjelle
“Shtojmë edhe disa elementë të tjerë për turistët që vijnë, për vizitueshmërinë, për vizitorë të ndryshëm për të shtuar edhe disa atraksione të tjera brenda kalasë së Gjirokastrës dhe pse jo dhe me të vërtetë janë pjesët më të hershme dhe më interesante të kalasë”, tha arkeologu.
Kalaja, si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë në vitin 1336. Historianët mendojnë së ekzistenca e kësaj kështjelle është më e hershme. Kalaja e Gjirokastrës është monumenti më i vizituar në vendin tonë ndërsa shërben si qendër e organizimit të aktiviteteve kulturore me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.