Nuk ka më asnjë komunikim mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë. Kështu bën me dije Kremlini zyrtar përmes një deklarate për mediat.
Sipas zëdhënësit të qeverisë ruse, Dmitry Peskov, Moska nuk ka pritshmëri që administrata e re amerikane me në krye presidentin Donald Trump të ndalojë zgjerimin e NATO-s.
“Pothuajse çdo kanal komunikimi me SHBA është bllokuar. Nuk komunikojmë me njëri-tjetrin”, u shpreh Peskov.
Kjo ftohje e marrëdhënieve mes dy shteteve vjen pas një seri deklaratash nga Presidenti Obama, CIA dhe FBI që akuzojnë Rusinë se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 8 Nëntorit përmes sulmeve kibernetike, akuza të hedhura poshtë nga Moska zyrtare.
Ndërsa dy ditë më parë u raportua lajmi mbi një telefonatë shumë të ashpër mes presidentit amerikan në detyrë Barack Obama dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.
Më 31 Tetor Obama ka përdorur linjën emergjente mes Washingtonit dhe Moskës për të paralajmëruar Putinin se, çdo përpjekje për të influencuar zgjedhjet amerikane do të konsiderohet si një “çështje e rëndë”. (A.R/SHUPLAKA)