Gjykata e Lartë do të shqyrtojë rekursin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në seancën e datës 28 shtator ora 10:00. Në të njëjtën seancë me Tahirin do të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë dhe rekursi i bërë nga ish-drejtori i Policisë së Vlorës Jaeld Çela.
Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar ish-ministrin Tahiri me 5 vite heqje lirie, por ky vendim është konvertuar në shërbim prove për 3 vite, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Për ish-ministrin, dikur krahu i djathtë i Edi Ramës, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 12 vite burg.
Prokuroria e akuzoi ish-ministrin për tre vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”, ndërkohë që Gjykata e dënoi për një akuzë që nuk ishte ngritur zyrtarisht nga prokuroria.
Tahirit i është ndaluar gjithashtu për tre vite marrja e posteve publike, dhe për këtë ai bëri rekurs të vendimit në Gjykatën e Lartë.
Edhe Çela, kërkon rrëzimin e vendimit të Krimeve të Rënda që e dënuan atë me 3 vite dhe 4 muaj burg por me ndryshim nga ish-ministri i brendshëm ish-drejtori duhet ti vuajë ato në burg.
Çela mbetet në arrati që prej kohës kur emri i tij u lakua si i përfshirë në trafikun e drogës, në bashkëpunim me grupin e Habilajve, të cilët paralelisht janë dënuar dhe hetuar në shtetin italian.
(E.K/Faxweb.al)