Në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vijon rinumërimi i 64 kutive të kontestuara, mirëpo deri më tani kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi duket shumë larg fitimit të mandatit të 34-të në Tiranë.
Në KQZ sapo ka përfunduar numërimi i kutisë së 59-të, dhe PDIU ka marrë vetëm 2 vota më shumë se më 25 qershor.
Mirëpo kujtojmë se mandati i Idrizit në Tiranë është humbur në zgjedhjet e 25 qershorit për vetëm 37 vota, çka do të thotë se deri më tani ai është rreth 35 vota larg.
Megjithatë vetëm 5 kuti kanë mbetur për t’u numëruar dhe nëse ritmi i ndryshimit të votave nëpër kuti vazhdon po kështu, me 1 ose me 2 vota, Idrizi do ta humbë për herë të dytë mandatin e Tiranës.
Vetëm pak minuta më parë, PDIU ka dorëzuar një kërkesë tjetër në KQZ, për hapjen e të gjitha kutive në Tiranë. Mësohet se personi që e ka depozituar kërkesën në këtë institucion, ka qenë pikërisht Erion Manohasa.
PDIU pretendon se votat e tyre janë vjedhur në zgjedhjet e qershorit dhe pavarësisht se tani janë larg fitimi të mandatit të fundit në Tiranë, rinumërimi i votave në 64 kutitë e kontestuara ka shënuar disa ndryshime të vogla nga kutia në kuti. (D.D/Shuplaka)