Lidhur me rivendosjen e tarifës për Rrugën e Kombit, ka reaguar sot ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Pal Lekaj. Ai shprehet se nuk ka pasur bisedime me Gjiknurin, përveç disa sekondave në Samitin e Sofjes.
“Nuk mund të themi që për këtë çështje jemi takuar apo që kemi biseduar eksplicite, por në Samitin e Sofjes ku ishte prezent edhe ministri Gjiknuri e kemi biseduar njëherë në pak sekonda dhe i kam shfaqur mospajtimin tonë për çmimin fillestar që është vendosur nga shteti shqiptar për Rrugën e Kombit”, ka thënë Lekaj për ‘Indeks online’.
Sipas tij, këto tarifa janë më të lartat në Evropë dhe nuk përkojnë me gjendjen e ekonomike as të familjeve e as të biznese të të dy vendeve.
“Për këto çështje jemi shprehur prej fillimi se do të duhej të konsultoheshim ndërmjet vete, sepse jemi përveçse fqinjë edhe vende me popullatë të njëjtë dhe rrjedhimisht me ndjenja të njëjta”, ka shtuar Lekaj.
Ai ka deklaruar se dy qeveritë duhet të angazhohen për të zhvilluar gjëra që bashkojnë dy vendet edhe më shumë, e jo gjëra që rrisin ndarjen.
“Po presim që të shohim nëse ka ndryshim dhe sa është ai ndryshim për këtë tarifë rrugore”, ka përfunduar Lekaj.