Cristiano Ronaldo ka braktisur stërvitjet me Juventusin dhe po i qëndron pranë nënës së sëmurë, e cila u dërgua me urgjencë në spital, mëngjesin e djeshëm, pasi pësoi hemoragji cerebrale. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” fluturoi për në Portugali dje, për t’i qëndruar pranë zonjës Dolores, e prekur nga një “goditje ishemike” në agim të së martës.
Lajmi u përhap shpejt në mëngjes nga ishulli Madeira, ku lindi Cristiano dhe ku jeton nëna e tij, përmes shtypit portugez. Logjik shqetësimi i kampionit bardhezi, i cili mbërriti në Funchal me avionin e tij privat.
Natyrisht, asnjë stërvitje, asnjë preokupim për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë me Milanin, e cila më pas u anulua prej “Coronavirus”.
CR7 reagoi mbrëmë përmes rrjeteve sociale, duke falënderuar të gjithë ata që ishin afër tij në një ditë vërtet të komplikuar: “Faleminderit të gjithë atyre që më kanë dërguar mesazhe mbështetjeje për nënën time. Për momentin, kushtet e saj shëndetësore janë të qëndrueshme, ajo po mjekohet në spital. Familja ime dhe unë duam të falënderojmë të gjithë ekipin e mjekëve, që po e ndjekin atë, dhe me mirësi kërkojmë që të na lejohet pak privatësi tani”.
Spitali doli me një deklaratë për shtyp, referuar rastit në fjalë: “Pacientja Dolores Aveiro mbërriti në orët e para të ditës së sotme, 3 mars, me një goditje ishemike, e cila karakterizohet nga një dëmtim i qelizave të trurit, si rezultat i mungesës së oksigjenit dhe lëndëve ushqyese, dhe vijon me bllokimin e rrjedhjes së gjakut”.
Sipas reagimit zyrtar, Dolores Aveiro mbërriti me urgjencë në spitalin “Dr Nélio Mendonça”, në Funchal, me një goditje ishemike, duke iu nënshtruar dy terapive të recanalizimit vaskular: trombolizës dhe trombektomisë.
“Këto terapi kontribuojnë në përmirësimin e prognozës, – shpjegojnë mjekët, duke shtuar se – deri më tani, situata klinike po evoluon siç pritej. Të gjitha informacionet klinike do të bëhen të njohura vetëm dhe ekskluzivisht për familjen e pacientit, e cila mund ta bëjë atë publik (ose jo), një e drejtë që e gëzon dhe që duhet të respektohet”.
Dolores Aveiro është 65 vjeçe dhe vjen nga famullia e Machico, në pjesën lindore të Madeira. Nëna e yllit të futbollit, Cristiano Ronaldo, dhe gjithashtu e Liliana Cátia Aveiro (Kátia Aveiro), Elma Aveiro dhe Hugo Aveiro, me kalimin e viteve ka marrë një vend të spikatur në shoqërinë portugeze.
Në vitin 2014 botoi autobiografinë e saj, shkruar nga Paulo Sousa Costa, në të cilën flet për vdekjen e nënës, kur ishte vetëm 6 vjeçe, për dhunën në familje, lindjen e fëmijëve, emigrimin, etj. Po ashtu, Dolores rrëfente aty edhe luftën kundër kancerit të gjirit dhe rolin e saj si gjyshe. Në Instagram, mamaja e CR7 është personaliteti portugez me më shumë ndjekës, me gjithsej 2.1 milionë fansa. Në postimin e saj të fundit nuk mungojnë mesazhet e inkurajimit dhe mbështetjes, për ta kaluar këtë moment delikat dhe të rrezikshëm shëndetësor.