Dy gjenitë e futbollit modern janë të ndarë në liga të ndryshme këtë sezon por krahasimet mes tyre do të ekzistojnë gjithmonë, madje deri në detajin me të vogël. Për këtë, gjithmonë flitet me shifra dhe arritjet e tyre në fushën e lojës.
Ky ishte viti i parë që Ronaldo ishte në Seria A dhe Messi në La Liga, duke humbur përballjet e tyre direkte apo në “EL Classico”, por sezoni 2017-2018 i pa ata sërish duke ndihmuar skuadrat e tyre për të fituar tituj.
Sezonin e kaluar ata u përballen 3 herë në Spanjë. Fillimisht në Superkupën e Spanjës, por Ronaldo ngriti trofeu falë fitores së Real Madrid me rezultatin e përgjithshëm 5-1. Messi shënoi nga penalltia në fitoren 3-0 në “Bernabeu”, ndërsa në ndeshjen në “Camp Nou” Ronaldo shënoi në barazimin 2-2, por në fund Barcelona fitoi trofeun, për herë të nëntë.
Në Champions Barcelona pati një sezon zhgënjyes duke u eliminuar në gjysmëfinale nga Roma, ndërsa Real Madrid përshkroi gjithë rrugën duke fituar edhe finalen kundër Liverpool, duke e bërë Ronaldon lojtarin e vetëm që e ka fituar 5 herë këtë trofe.
Statistikat e sezonit 2017-2018 për Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi!
Statistikat e Ronaldos për sezonin 2017-2018 e nxorën atë me të dhëna identike, gol për çdo ndeshje që ka zhvilluar, duke shënuar 44 herë në 44 ndeshje. Ai luajti në 27 ndeshje në La Liga, duke shënuar 26 gola dhe shërbyer 5 asist. Portugezi shënoi edhe 2 gola në Botërorin e Klubeve, aty ku fitoi edhe një medalje tjetër. Luajti edhe në finalen e UEFA Super Cup, por nuk arriti të shënojë në fitoren e Real Madrid ndaj Manchester United.
Champions League është kompeticioni ku Ronaldo shkëlqeu duke shënuar 15 gola në 13 ndeshje. Përgjatë fazës së grupeve ai u bë lojtari i vetëm që arriti të shënojë në të gjashtë ndeshjet e kësaj faze, por mbi të gjitha tregoi klasin e tij në atë gol me roveshatë kundër Juventus, aq sa edhe tifozët në “Allianz Stadium” e duartrokitën. 15 golat e tij e nxorën atë golashënues të Champions League për herë të 6 radhazi dhe të 7-ën në karrierë.
Sidoqoftë 26 golat në La Liga nuk mjaftuan për të thyer supermacinë e Lionel Messit, i cili fitoi “Këpucën e Artë” të Europës duke shënuar 34 gola, duke mundur edhe Mohamed Salah. Messi u bë lojtari i parë që e fiton këtë çmim 5 herë. Argjentinasi po ashtu dha 12 asist në kampionat dhe u përfshi në 8 gola në 6 ndeshje të Copa del Ray (4 gola dhe 4 asist).
Pavarësisht sezonit zhgënjyes të Barcelonës në Champions, Messi dha dy asist dhe shënoi 6 gola në 10 ndeshjet e zhvilluara. Po ashtu, ai shënoi një gol në dy ndeshje të Superkupës, shkruan Sport Plus.
Sa i përket anës disiplinore Messi është ndëshkuar 7 herë me karton të verdhë, ndërsa Ronaldo vetëm 3 herë. Por, portugezi është ndëshkuar një herë më karton të kuq në sezonin 2017-20118.
Në nivel kombëtarje ata nuk patën ndonjë sezon të madh por shifrat flasin gjithmonë për ta.
Messi arriti të kualifikojë Argjentinën për në Botëror duke shënuar tripletë në ndeshjen e fundit që duhej fituar patjetër kundër Ekuadorit, ndërsa Ronaldo shërbeu dhe shënoi gola në tre nga katër ndeshjet e Portugalisë në rrugën për në Rusi. Në ndeshjet miqësore Ronaldo luajti në tre ndeshje dhe shënoi dy gola, ndërsa Messi luajti në dy ndeshje dhe shënoi një tripletë kundër Haitit.
Në Kupën e Botës asnjëri nuk shkoi më larg se faza e 16 më të mirave. Ronaldo e filloi egërsisht me 3 gola kundër Spanjës, si dhe i shënoi një gol Marokut, por dështoi të lërë gjurmë në fazën me eliminim direkt në përballjen me Uruguain.
Edhe Messi zhvilloi një Botëror të varfër, ndryshe nga pritshmëritë që ishin krijuar për të. Ai arriti të shënojë vetëm një gol, atë kundër Nigerisë, ndërsa humbi një penallti kundër Islandës. Në ndeshjen kundër Francës ai dha 2 asist por në fund “Gjelat” u kualifikuan me rezultatin 4-3.
Si përmbledhje, lojtarët kanë shënuar shumë gola dhe kanë shërbyer në shumë të tjerë për klubet dhe kombëtaret e tyre, ndërsa ndanë trofetë me klubet si Barcelona dhe Real Madrid duke iu shtuar më shumë histori në palmaresin e tyre.