Bujë të madhe bëri dje lajmi që Arda Turhan, lojtari i Kombëtases turke të futbollit kishte rrahur një gazetar.
Pas kësaj Turqia ka përjashtuar nga ekipi kapitenin. Mesfushori i Barcelonës u përfshi në një sherr me gazetarin Bilal Meshe gjatë udhëtimit të ekipit kombëtar me avion nga Shkupi në Trieste të Italisë. Turan e kapi për fyti gazetarin dhe e ofendoi për shkak të një shkrimi të bërë nga ky i fundit pas përfundimit të Kampionatit Europian “Francë 2016”.
Pas mbërritjes në Slloveni ku Turqia është grumbulluar për të përgatitur ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Kosovës, e cila do të luhet në mbrëmjen e së dielës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, presidenti i Federatës Turke, Jëlldërëm Demiroren dhe trajneri i kombëtares, Fatih Terim, bënë një mbledhje kokë më kokë në lidhje me ngjarjen.
Pas kësaj mbledhjeje, Terim thirri kapitenin Arda Turan për t’i bërë me dije vendimin e përjashtimit të tij nga kombëtarja. Ky lajm padyshim që i intereson Kosovës, pasi kundërshtari do të vijë në Shkodër në një gjendje mjaft të tensionuar dhe pa shërbimet e një prej lojtarëve më të mirë.
Gjatë pasdites, vetë Turan u shfaq në një konferencë për shtyp ku dha lajmërimin se i jepte fund karrierës së tij me Kombëtaren turke.
“Për shkak të ngjarjes që ndodhi kam marrë këtë vendim. Nuk jam penduar për atë që ndodhi, tani ndjehem i lirë”, tha futbollisti. (E.K/Shuplaka)