Biznesmeni Ylvi Beqja u qëndron akuzave që ka bërë ndaj Emiljano Shullazit. Pas 14 seancave të dështuara, Gjykata për Krimet e Rënda nisi dje marrjen e dëshmisë së biznesmenit të mbrojtur, Ylvi Beqja, pa e vënë atë përballë Emiljano Shullazit.
Pyetja e tij në formën e sigurimit të provës u bë për llogari të hetimit të nisur nga Prokuroria ndaj Shullazit dhe katër miqve të tij, të akuzuar për “gjobëvënie”, raporton gazeta “Panorama”. Seanca, që u ndërpre në mes, u zhvillua pa praninë e të dyshuarve dhe as të avokatëve të tyre mbrojtës. Personi nën hetim, Emiljano Shullazi, mungonte në gjyq për arsye shëndetësore. Paraditen e djeshme ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në një spital privat në kryeqytet.
Katër të dyshuarit e tjerë u larguan nga salla e gjyqit, duke kërkuar shtyrje të seancës. Kërkesë për shtyrje ishte paraqitur në gjykatë edhe nga disa prej mbrojtësve të tyre. Në vendimin e gjyqtarit Dritan Hallunaj, të 21 janarit 2017, mbi lejimin e sigurimit të provës, marrjes së dëshmisë së Ylvi Beqjes, përcaktohet se “në marrjen e kësaj prove, të marrin pjesë prokurorët, shtetasit nën hetim Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela, Endrit Qyqja, si dhe mbrojtësit e tyre”.
Biznesmeni ka treguar në gjykatë një fakt interesant, pasi një person i akuzuar për vrasje në Tiranë, i është afruar duke i dhënë një ofertë prej 7 milion euro, në këmbim që ai të tërhiqej nga dëshmia kundër Shullazit.
Madje sipas rrëfimit të Beqjat, ky person e ka garantuar se 1 milion euro ishin të gatshme për tu dhënë direkt në dore, ndërsa pjesa tjetër me këste, vetëm me kushtin që ai të hiqte dorë.
Në prezencë të prokurorëve dhe gjyqtarëve, biznesmeni Ylvi Beqja ka treguar se edhe gjatë kohës kur ka qenë i mbrojtur nga policia dhe prokuroria, ai ka marrë kërcënime dhe oferta të ndryshme për tu tërhequr nga dëshmia e tij, kundër Emiljano Shullazit, Gilmanod Danit dhe Endrit Zela e Endrit Qyqja.
Beqja i ka treguar gjykatës se ka marrë kërcënim nga nje person që është akuzuar për një vrasje. Ky kërcënim sipas Beqjas është bërë në telefon dhe në mënyrë verbale. Madje Beqja në rrëfimin e tij 1 orësh para gjykatës së Krimeve të Rënda, mësohet të ketë treguar dhe një moment tjetër për disa deklarata mediatike të disa biznesmenëve nga Fushë-Kruja, që pretendonin se ai u kishte marrë para borxh dhe nuk ia kishte kthyer.
Burime pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda thanë për “Shqiptarja.com” se dëshmitari i prokurorisë Ylvi Beqja, i tregoi gjykatës se këta biznesmenë që kanë dalë në media, janë kërcënuar dhe kanosur me armë nga një person nga Fushë-Kruja, me mbiemrin Shullazi dhe nga një person tjetër, i akuzuar për vrasje në kryeqytet.
Gjithmonë sipas dëshmitarit të prokurorisë, në orkestrimin e daljes së biznesmenëve në media,kanë marrë pjesë dhe avokatët e Emiljano Shullazit dhe një tjetër avokat i njohur që dikur ka qenë prokuror i lartë.
Në dëshminë e tij Beqja ka shtuar se për këtë ka prova bindëse dhe se është i gatshëm t’ia verë në dispozicion gjykatës dhe prokurorisë. Nga ana tjetër biznesmeni ka rrëfyer në seancën e djeshme, se Shullazi e ka kërcënuar herë pas here, duke e detyruar që ai të shtonte përqindjen e pronës që do i dhuronte, tek ish-hotel Vollga, nga 10 në 20 për qind.
Gjithashtu Beqja i ka qëndruar një pjesë të rrëfimit të tij dhënë në prokurori, duke pohuar se tek Shullazi e ka çuar avokati me inicialet N.F, dhe se pas kësaj kanë filluar kërcënimet e vazhdueshme .N.F, ka qenë avokat, në procesin civil që Ylvi Beqja ka zhvilluar kundër shtetasit Zanmir Hasa, për ish-hotel Vollgën në Durrës.
Administratori i kompanisë “Saudi Brather Comercial Company” ka rrëfyer para gjykatës se pas arrestimit të grupit të Shullazit, ai ka marrë një ofertë të re, në mënyrë që të tërhiqej nga dëshmia.
Sipas rrëfimit që Beqja ka bërë,një person i njohur prej tij dhe me precedent penalë, e ka kontaktuar ne telefon, dhe ka kërkuar takim me të. Ky takim është realizuar dhe pikërisht aty Beqja, tregon se ka marrë ofertën, për tu tërhequr nga dëshmia që ka dhënë në prokurori.
Në këmbim të tërheqjes Beqja mësohet t’i ketë treguar gjykatës se personi i ka ofruar 7 milion euro, ku 1 milion do i jepeshin në dorë, vetëm me kushtin që ai të tërhiqej nga dëshmia që ka dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Këtë ofertë Beqja ka treguar se nuk e ka pranuar, dhe fill pas kësaj një grup personash janë angazhuar duke kërcënuar me armë disa tregtarë në zonën e Fushë-Krujës, për ti regjistruar ata me kamera në ambientet e një lokali, teksa deklaronin se Ylvi Beqja i ka marrë para borxh. Më pas sipas Beqajt deklaratat e këtyre tregtarëve janë publikuar dhe në media.
DËSHMIA
Sipas burimeve, për gati një orë dëshmitari Beqja ka rrëfyer mënyrën se si ishte njohur me Emiljano Shullazin dhe bisedat e tyre, duke u qëndruar edhe deklarimeve të dhëna më herët para prokurorëve të Krimeve të Rënda.
Sipas dëshmisë, kishte qenë një avokat që e kishte adresuar Beqjan tek Emiljano Shullazi, si person që mund ta ndihmonte në zgjidhjen e një procesi gjyqësor ku ai ishte palë, në lidhje me pronësinë e ish-hotel “Vollgës” në Durrës.
“Pasi i shpjegova me detaje telashet e mia me pronën dhe personat që ishin përfshirë, më tha që këtë punë e zgjidh unë, ti s’ke për t’u marrë fare me këtë punë. Në këmbim të kësaj, unë dua të më japësh 20 për qind të pronës. Mua m’u duk përqindje e lartë, por nuk kisha zgjidhje tjetër, pasi me ndërhyrjen e personave të fuqishëm dhe me para ata po arrinin të merrnin pronën në mënyrë të padrejtë”, ka rrëfyer këtë bisedë për prokurorët Beqja. Kur ka kaluar gati një orë nga momenti kur Beqja ka nisur të rrëfehet, seanca është ndërprerë për shkak të largimit të avokates Teodoresku nga salla e gjyqit. Seanca e radhës është caktuar të hënën, në orën 15:30.
(XH.A/SHUPLAKA)