Enea Jorgji, gjyqtari që u vu në qendër të vëmendjes pas ndeshjes mes Partizanit dhe Skënderbeut, ka folur për atë çka ndodhi në fushën e “Elbasan Arenës” të dielën. Në një prononcim për “SuperSport”-in, “bilbili” nga Elbasani arsyetoi një për një të gjitha episodet e kontestuara në duelin e tensionuar mes dy rivalëve për titull.
Kartoni i kuq i Kalarit
“Kartoni i kuq për Kalarin është plotësisht i justifikuar, pasi bëhet fjalë për një ndërhyrje me intensitet, shpejtësi, me taka të ngritura në kërcinjtë e kundërshtarit dhe asnjë përpjekje nga ana e tij për ta shmangur. Nuk luan fare me topin dhe vë në rrezik shëndetin e kundërshtarit. Kam qenë i bindur si dje, ashtu edhe sot që kemi qetësinë për ta parë nëpërmjet ekranit këtë ndërhyrje. Po jua rikonfirmoj me fjalë, jo më me kartonin tim të kuq, që ky është një karton i kuq mëse i merituar për Renato Kalarin”.
Përplasja Trashi-Vangjeli
“Kemi një tentativë të Trashit për t’u vënë në kontroll të topit, por në pamundësi për ta bërë këtë, ai kryen një kontakt dhe pengon Kristi Vangjelin. Por nëse e rishikojmë me kujdes këtë ndërhyrje, vërejmë që, përkundër një intensiteti të moderuar të lëvizjes, Trashi kontaktin me Vangjelin e ka me një pjesë të trupit e cila kurrsesi nuk vë në rrezik shëndetin e Vangjelit. Pra, ka specifika të veçanta”.
Torasa-Latifi
“Ndërhyrje me intensitet të moderuar, por duhet të themi që përdorimi i pjesës së këmbëve të Torasës nuk ishte si ai i Kalarit, sepse Torasa prek topin dhe në kërcimin e tij më pas kryen kontakt te kërcinjtë e Latifit. Për këtë kam menduar të mos e jap karton të verdhë, duke marrë parasysh edhe faktin që Partizani ishte penalizuar para dy minutash me një karton të kuq dhe për ta konsideruar si në kufijtë e një loje të lejuar, duke mos marrë asnjë masë ndëshkimore. Por, paçka se dhashë gjithë këtë shpjegim, nuk mund të mohoj se ky rast është karton i verdhë”.
Kartoni i kuq i Vangjelit
“Ndërhyrje jo e qëllimshme, pasi ai kërkon të luajë topin me kokë, edhe pse në një pozicion jonormal. Në pamundësi për ta bërë këtë, ai pengon Torasën. Duke qenë se Vangjeli e kishte një karton të verdhë, sipas rregullave të futbollit dhe atyre që ne ndjekim si arbitra, e kemi rreptësisht të ndaluar të japim avantazhe të tilla, përjashtuar rastet kur kemi të bëjmë me një mundësi shënimi të pastër. Në rastin konkret nuk kishim të bënim me një mundësi shënimi të pastër, ndaj duhej akorduar patjetër faull dhe kartoni i dytë për Vangjelin”.
Tensioni i ndeshjes
“Ne, kur e përgatisim ndeshjen si arbitra, nuk e përgatisim thjesht në aspektin futbollistik, pra se çfarë pritshmërish kemi prej lojtarëve dhe prej skuadrave, por edhe në aspektin psikologjik. Në ndeshjen e djeshme skuadrat nuk janë shfaqur aspak të qeta, pasi trysnia është shumë e madhe. Ndaj ne shpeshherë, kur gabojmë, vihemi në kushtet e tyre, për t’i kuptuar deri në limite veprimet apo ndërhyrjet që herëpashere na shfaqen dhe detyrohemi të marrim vendime”.
Korruptimi i gjyqtarëve
“Unë kam qenë dhe jam i mendimit që gjyqtarët nuk korruptohen, por ka persona të cilët përpiqen t’i bëjnë për vete këta gjyqtarë, ndoshta dhe duke u ofruar diçka. Mendoj se ka ndryshim midis korruptimit të gjyqtarit dhe përpjekjes për të bërë diçka në pamundësi për të bërë punën tonë. Këto kanë qenë kohë të largëta, tani nuk e kam më këtë ndjesi për sjellje të tilla të presidentëve.
Mua m’u bënë goxha vite që drejtoj në Superiore dhe më duhet të them se vetëm vitin e parë dhe deri diku edhe të dytin kam pasur të tilla telefonata direkte. Edhe më kanë ofruar, por synimet kanë qenë të tjera, jo për përfitime që nuk më takojnë. Tani nuk e ndiej më këtë lloj sikleti”.
Arbitrat, të pambrojtur
“Duhet të kuptojmë që ne si arbitra jemi pala më e prekshme kur përplasen interesa, dhe nëse klubet, zyrtarët apo tifozët ndjehen të mbrojtur nga opinioni sepse janë përfshirë në një masë më të gjerë opinionesh dhe respektivisht mbrohen mirë nga njëri-tjetri, ne, instancën kryesore që kemi, Komitetin e Arbitrave, e kemi të pafuqishme për të reaguar fuqishëm. Jo sepse nuk reagojnë publikisht, por specifika e punës sonë është e tillë, pa e shfaqur për merita.
Pra, nëse mua më duhet të marr një vendim dhe në rastin konkret mund të gjykohet nga opinioni sportiv, nga futbollistë apo tifozë të thjeshtë, unë nuk kam mundësi të shpreh mendimin tim pse kam ardhur në këtë vendim. Dhe, ç’është e drejta, kjo ma bën të vështirë ndeshjen pasardhëse”.
Gabimet
“Gabime ndodhin, sepse e tillë është puna jonë. Nuk mund të them tani që unë kam gabuar dhe nuk do ta bëj më. Nuk mund të them as që ky apo ai gabim më ka rënduar më tepër. Çdo gabim rëndon, pasi vetë termi është i pahijshëm për këdo. Jo vetëm në punë, por edhe në një raport shoqëror, nëse gabon nuk ndjehesh mirë. E rëndësishme është që gabimi të mos jetë pjesë e një ndërgjegjeje të keqe.
Unë nuk kam tentuar ndonjëherë të kem marrëdhënie me presidentët, e as ata me mua. Por nëse unë e shfaq marrëdhënien time në lojën e futbollit duke u dhënë atyre maksimumin tim dhe atë që meritojnë, edhe ata herë pas here, për mirë apo për keq, e shfaqin në intervistat e tyre nëpër emisione televizive e kudo”.
Ndihma nga lojtarët
“Lojtarët jo gjithmonë ma bëjnë të lehtë. Një nga ndeshjet më të sikletshme ishte ajo e një dite më parë, ku lojtarët nuk më ndihmuan. Flas këtu për ata të Partizanit, pasi edhe pse mora një vendim të drejtë ata e paragjykuan, synuan ta përkeqësonin situatën duke u përpjekur të merrnin diçka që nuk u takonte. Kërkesa e tyre e vetme është për një korrektësi maksimale dhe për dhënien e të drejtës atij që e meriton dhe fituesit moral futbollistik”.
Pagesa
“Paguhemi rreth 38.5 mijë lekë bruto për ndeshje, përfshirë taksat. Shpërblimi varion dhe është i përcaktuar në bazë të nivelit ku gjykon, kështu që nuk ka një tarifë fikse. Pagesa mesatare në kampionatet e Europës shkon në 1200-1300 euro. Më duhet të them se realiteti i futbollit shqiptar nuk është se e ndihmon shumë gjyqtarin, pasi ata duan të marrin gjithçka, me apo pa të drejtë, mjaft që vendimet të jenë në anën e tyre”. /panoramasport