Sulmet e vazhdueshme brenda burgut famëkeq të Koridhalos, ku janë vrarë dhe disa shqiptarë, kanë ngritur shqetësimin e personave që vuajnë dënimin.
Fabio Dushku, një prej të dënuarve me burgim të përjetshëm, i quan se janë duke i bërë shqiptarët rezil si pasojë e sulmeve dhe dhunës së vazhdueshme që ushtrohet nga grekët. I dënuari tregon situatën e pakëndëshme që është krijuar në burgjet e Greqisë.
Në një intervistë të dhënë për mediat greke, Dushku bën me dije se situata është tepër e rënduar jo vetëm për të dënuarit por edhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi. Madje ai shkon më tej kur thotë se dënimi i tij është i pabazuar në fakte ligjore, por një dashakeqësi e rendit dhe drejtësisë në shtetin helen.
“Është krijuar një situatë e keqe këtu në burgje. Gjithmonë të duket sikur përditë do të vriten njerëz këtu. Ju ftoj të shikoni nga afër sesi drejtësia greke “vret” shqiptarët në burgje. Po na bëjnë rezil. Ky nuk është vetëm një problem i imi. As një problem i të burgosurve shqiptarë në Greqi, por një problem i të gjithë shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Klima është mjaft e vështirë këtu. Ka shqiptarë që nuk dinë se ku të fshihen për të mos rënë pre e provokimeve”, shprehet Dushku në mediat e vendit fqinj.
31-vjeçari shqiptar, i cili ndodhet momentalisht i burgosur në burgun e Koridhalosit në Greqi, ka rrëfyer për mediat greke jetesën atje. I riu shqiptar është dënuar me burgim të përjetshëm pasi akuzohet për dy vrasje, në Athinë dhe Selanik.
Në lidhje me këto ngjarje ai ka rrëfyer se është arrestuar pa fakte dhe pa asnjë lloj prove, pa u gjetur asnjë armë krimi dhe pa ADN. “Unë për çdo akuzë për veprat penale që kam kryer i kam pranuar vet ashtu siç ka ndodhur dhe pa u trembur”, ka rrëfyer Dushku.
Ai akuzohet edhe si pjesëmarrës i disa organizatave terroriste në Greqi, “17 Nëntori” dhe “Grupi i Zjarrit”, diçka të cilën e ka pranuar.
“Akuzohem si bashkëpunëtor dhe anëtari i dy organizatave të njohura në Greqi asaj 17 Nëntori dhe Grupi i Zjarrit, gjë të cilën e kam pranuar dhe e pranoj se jam pjesë e tyre, por nga ana tjetër më akuzojnë për vënie bombash gjë të cilën nuk e kam bërë asnjë here”, ka treguar shqiptari.
Dushku kishte hartuar një plan arratisje nga burgu i Koridhalosit ku përfshihej hedhja në erë e murit të burgut dhe parashikohej arratisja e disa prej krerëve të mafias greke, por edhe pjesëtarëve të grupit gueril “Komploti i celulave të zjarrit”, që vuajnë dënime për akte terroriste.
Ky plan u zbulua vetëm pas një kontrolli të befasishëm në qelinë e tij pasi u gjet një armë zjarri e çmontuar, disa thika artizanale, doreza hekuri dhe telefona celulare. Në momentin kur gardianët hynë në qeli e gjetën Dushkun duke folur në Skype.
Dushku kishte menduar që plani i arratisjes të vihej në jetë në datën 4 Shkurt, ku në Greqi vëmendja do të ishte e përqendruar në protestën kundër emrit të Maqedonisë së Veriut.
Sipas mediave greke, Fabio Dushku kishte dhe profilin e vet ne Facebook, me emrin “Vrasësi profesionist”, ndërsa kishte publikuar edhe lidhje me Skype dhe shfaqej tejet aktiv në rrjetet sociale.
Postimet me “Fuck the police” dhe “Rroftë Anarkia” mbizotërojnë kudo. Shqiptari gjithashtu duket një fans i armëve dhe makinave të shtrenjta. I riu duket i apasionuar për të krijuar miqësira virtuale, ndërsa i pëlqejnë edhe këngët greke.
Mes shumë gjërave që ka postuar Fabio Dushku, spikat edhe një foto ku shihet bashkë me Alket Rizain, shqiptarin e njohur për arratisjet e tij të bujshme, që sot vuan ende dënimin në burgjet greke. Po ashtu, Dushku i kishte kushtuar rëndësi edhe vrasjes së bujshme e Vasilis Stefanakos, i cilësuar si ‘koka’ e mafias në Greqi si dhe njihet për lidhjen e tij të ngushtë me shqiptarin Alket Rizain.
Pak kohë më parë, mediat lokale greke kanë publikuar disa pamje të pazakonta të shqiptarëve në burgun e Koridhalosit. Skena e pazakontë është transmetuar live në rrjetin social Facebook dhe komentet nga familjarë apo miq të tyre nuk kanë munguar.
Videoja ka vënë në lëvizje ministrin e Drejtësisë dhe autoritetet e burgjeve greke, të cilët kanë kërkuar shtrëngimin e masave për të burgosurit brenda ambienteve. E ashtuquajtur si një “party” brenda burgut, mediat greke e kanë komentuar videon si të ishte ambient feste dhe jo institucion ku shqiptarët vuajnë dënimin, shkruan Joq.
Pamjet e shqiptarëve të hareshëm, edhe pse brenda, kanë bërë xhiron e rrjetit dhe grekët kanë shpërthyer në akuza ndaj institucioneve. Në këtë video ka qenë protagonist Fabio Dushku dhe disa miq të tij, brenda në qeli në burgun e Koridhalosit.
Më tej, sikundër raportojnë mediat greke, Dushku ka pranuar se ishte pjesë e organizatorëve të festës së vitit të Ri në burgun e Korridhalos në Greqi. Por mohon se dhoma ku u bë ky organizim ishte një suitë e veçantë për të. Veprim për të cilin, thekson Dushku, ndaj tij është marrë një masë disiplinore dhe tashmë e ka kaluar dënimin.
Në një intervistë vitin e kaluar ai ka rrëfyer se shteti shqiptar nuk do t’ia dijë për të burgosurit.
“Aktualisht në burgjet greke ndodhen mbi 2 mijë shqiptarë, ku shteti shqiptar as nuk ka dashur dhe as nuk do t’ia dijë për ta, edhe pse një pjesë e mire e tyre janë dënuar në moshë minorene dhe pasi kishin shkëputur lidhjet me familjet pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, kur filloi edhe eksodi dhe dyndja e shqiptarëve drejtë emigracionit për një jetë më të mire, por që një pjesë e mire e tyre në vend që të gjenin parajsën, gjetën ferrin.”