Vdekja e aktorit të njohur shqiptar Bujar Lako rreth 4 ditë më parë, preku të Shqithë artdashësit dhe mbarë publikun.
Të gjithë tani janë sy e veshë për të mësuar më shumë rreth historive dhe përjetimeve të tij.
Studiuesi dhe kritiku Josif Papagjoni, i cili ka studiuar në degën e dramës, në të njëjtin kurs me aktorin ka zbuluar detaje që nuk i dinim më parë nga historia e tij e dashurisë me të shoqen Ermira.
Në një intervistë për një të përditshme online, Papagjoni ka treguar se në kohën kur u njoh Bujari me Ermirën, familja dhe institucionet kanë dashur t’i ndajnë.
“Historia e tyre e dashurisë ka qenë nga më emancipueset për kohën. Gruaja e tij, atëherë studente, ishte pianiste dhe ranë në dashuri që në Institutin e Arteve. Familja e saj vinte nga hierarkia e lartë e pushtetit, ndërsa Bujari ishte nga një familje e thjeshtë, mirëpo dashuria ishte shumë e fortë. Ajo ka bërë një mbrojtje të jashtëzakonshme të dashurisë, bashkë me Bujarin, por më tepër shihej si meritë e saj, sepse familja e saj nuk pranonte. Dhe, ndër të tjera, të vepronte vajza aq hapur, në vitet ’70, nuk ishte pak. U bë një diskutim atëherë, nga ato diskutimet mizerje që bëheshin për të linçuar njerëzit. U mblodh gjithë Instituti i Arteve për të gjykuar e vendosur mbi dashurinë e tyre.”, u shpreh studiuesi.
Më pas Papagjoni tregoi se vendimi i institutit ishte për “Ndarje.
“Duhet të godisnim dashurinë e duke anatemuar Bujarin si të përdalë. Mirëpo qëllimi ishte i qartë dhe justifikimi do të gjendej, në mos ky, një tjetër.”, tregon Papagjoni.
Sipas mendimit të tij, arsyeja e ndarjes ishte biografia e “zezë” e aktorit.
“Donin t’i ndanin për shkaqe biografike. Kuptohet që ndërhyrja ishte e njëanshme, vetëm nga familja e së shoqes, ishte vajza e një njeriu me pozitë. Instituti vetë kishte prirjen ta kthente në shembull e t’i ndante, ndoshta i ndikuar pikërisht nga pozitat e babait të vajzës. Duke i ndarë, donin të tregonin që ky ishte vagabond, por përpjekja dështoi. Të dy e mbrojtjen dashurinë me thonj, haptazi… Ishte një akt emancipues në shoqëri, sepse për herë të parë dashuria mbrohej hapur kundër disa imponimeve e klisheve të kohës. Thuajse në çdo rast, në atë kohë, dashuritë ishin shumë të mbyllura dhe niseshin nga biografitë. Dashuria e tyre theu klishetë e gjithë opinionit, edhe të vetë studentëve të indoktrinuar dhe të të gjithë ekipit pedagogjik që e kritikonte vazhdimisht për ta nxirë, për ta paraqitur si vagabond. Fakti është që ajo dashuri rezistoi… U morën masa të lehta, sepse shpëtimi i tyre ishte që ata e mbrojtën hapur dashurinë. Familja e saj e pa që vajza nuk hiqte dorë dhe u tërhoq, mori fund! Pastaj, ndoshta i dhanë edhe shansin! Të ishe aktor filmi, duhet të kishe garanci të mëdha edhe biografike e politike e me radhë… Edhe në teatër Bujari ka qenë i mirë, por nuk ka ndritur njësoj si në film. Bujari punonte me tone poshtë dhe teatri kërkon artikulim më të fortë, por ai luajti figura të bukura edhe atje.…”, e mbyll tregimin e tij Papagjoni. (D.D/Shuplaka)