Bashkëshortja e shkrimtarit të madh Dritëro Agollit ka rrëfyer momentet që përshkuan ditët e fundit me Dritëroin, ditët në spital, batutat e tij me mjeken dhe përse vendosi që të mos qajë. Në një rrëfim për gazetaren Fatmira Nikolli, ajo shprehet se ende nuk mund ta besojë se ai ka ikur: “Jam e mpirë. E kam trupin të mpirë, i kam duart të mpira, e kam kokën të mpirë. Unë ende nuk e besoj dot”.
Sadija rrëfen se në momentet e fundit, nuk gjendej askush nga familjarët pranë shkrimtarit. Për shkak se mjekët i kishin dhënë qetësues që të mos lodhej dhe u kishin kërkuar atyre të shkonin në shtëpi.
“Ikëm dhe i thamë, ‘Dritëro, po ikim, do vijmë prapë’. ‘Mirë’, na tha. Këto qenë fjalët e fundit që dëgjuam prej tij”, rrëfen ajo. Sadije Agolli tregon se mjekja u kërkoi më pas të ktheheshin në spital se ishte rëndë, por kur shkuan nuk e gjetën të gjallë.
Duke u ndalur tek ditët në spital, ajo tregon se pavarësisht lodhjes nga sëmundja, shkrimtari Dritëro Agolli dinte të bënte dhe batuta, kryesisht me mjeken, të cilës i thërriste “police” “ngaqë ajo i fliste kur ai donte ta hiqte oksigjenin se e lodhte”.
Më tej, bashkëshortja e Agollit tregon se shkrimtari nuk donte të shkonte në spital, e refuzonte me forcë idenë: “U bë më keq dhe i thamë ta çonim në spital. Nuk donte. E refuzonte me forcë. Më thosh se ‘oksigjenin ma vër ti në shtëpi, edhe e mat po ti në shtëpi. Zemrën ma kontrolloni në shtëpi. Nuk dua të shkoj në spital, dua të rri këtu’. Na thoshte “S’dua të iki në spital se nuk kthehem më i gjallë, do kthehem i vdekur në shtëpi. Ne mezi e bindëm që ta kishin mjekët në kontroll sepse i kishte mushkëritë rreth 90% të dëmtuara. Donim të shfrytëzonim çdo mundësi për të.” (XH.A/SHUPLAKA)