Adelina Ismaili po kalon periudhën më unike të jetës së saj pasi ajo është shtatzënë. Në një intervistë për revistën Who ajo ka treguar detaje rreth shtatzanisë së saj. Për Adelinën kjo periudhë është shumë emocionuese dhe shumë bukur. “E kam parë ëndërr që në fillim. Fëmija im ka kaçurrela të zeza, sy të rrumbullakët, faqe të kuqe dhe është shumë energjik. Dua që të ketë sytë dhe qetësinë e Valit e gjallërinë dhe buzëqeshjen time”, është shprehur këngëtarja. Ajo na rrëfen edhe momentin kur morrën lajmin e shumë pritur. “Vali e kishte humbur (qesh). Nuk besonte. Ishte njeriu më i ëmbël në botë, ta shikoje në ato momente. Tani kur e kujtoj, si një fëmijë i vogël që i ke dhuruar gjithë botën”, tregon Adelina.
Intervista:
Adelina si je? Kanë kaluar kohë nga intervista jonë e fundit (megjithëse të kam lexuar e ndjekur kudo) dhe unë kam kaq shumë kuriozitete këtë herë, sa ka gjasa që të ripërsëritem në pyetje… Je duke përjetuar atë që shumë zonja e quajnë periudhën më të bukur të jetës… Është vërtet kështu? Si po e përjeton Adelina shtatzëninë?
Unë nuk njoh periudhë më të bukur në jetë. Të krijosh familje, nuk ka asgjë më të shenjtë për mua. Është vërtet një ndjesi hyjnore. Nuk di ta përshkruaj, ose unë vërtet jam një femër me shumë fat. Asnjë mundim fizik siç më thonin, asnjë frikë apo mendim jo i mirë. Gjithçka është më bukur, më mirë, më ëmbël. Të kesh hyjnoren në shpirt, kështu është.
A ka ndryshuar mendimi yt i parë dhe i fundit i ditës?
Po, përfundimisht. Nuk mund të mendoj asgjë tjetër kur zgjohem, përveç një kënaqësie të pafund kur më kujtohet që bebushi është këtu. Çdo sekondë, çdo mendim gjatë ditës është i lidhur me të. Është hera e parë në jetë që më duket sikur gjërat e tjera janë shumë larg, shumë të parëndësishme. Çdo lëvizje, çdo tingull, çdo frymëmarrje tani ka tjetër kuptim. Është ndryshe, shumë më bukur. Mbrëmjet janë më të bukurat. Pasi kemi bërë të gjitha llastimet e mundura të ditës, lodhemi bashkë dhe që të tre i flasim njëri-tjetrit për gjërat e bukura që na presin.
Kur e mësove lajmin, cili ishte njeriu i parë që telefonove?
Valin, natyrisht. Pasi u sigurova mirë. Nuk mund të flisja, qaja nga gëzimi! Nuk mund të zbrisja një kat më poshtë ku ishte ai që t’i tregoja, e thërrisja të vinte tek unë lart. Nuk mbaj mend të jem gëzuar më shumë në jetë.
Si reagoi Vali dhe motrat?
Vali e kishte humbur (qesh). Nuk besonte. Ishte njeriu më i ëmbël në botë, ta shikoje në ato momente. Tani kur e kujtoj, si një fëmijë i vogël që i ke dhuruar gjithë botën. Nuk e kam parë ndonjëherë ashtu, qeshnim si të çmendur të dy. Pastaj heshtnim dhe fillonim përsëri. Ema ishte e para që i tregova, as atë nuk mbaj mend ta kem dëgjuar më të lumtur në jetën time. Flisnim pa kontroll që të dyja dhe qeshnim. Zani bërtiste andej “Oooh kush po bëhet maaaami?!” Nuk dija çfarë të flisja, nuk i kisha dëgjuar më të gëzuara ndonjëherë. Nuk dija çfarë të thoja, e kisha humbur dhe unë shumë. Gjë që s’më ka ndodhur gati asnjëherë (qesh). Qanim e qeshnim bashkë.
Sa kohë ke që e ëndërron një fëmijë?
Nganjëherë mendoj që kam lindur me atë dëshirë. Unë jam tip që pavarësisht trendeve momentale, asnjëherë nuk kam sakrifikuar vlerat e vërteta jetësore. Sado që kam kaluar gjëra sipërfaqësore, mbetem femër dhe shqiptare. Të qënurit femër tani e shoh si bekim nga Zoti.
Është zbuluar gjinia e fëmijës?
Po (qesh). Vali the që është shumë entuziast… Po, saqë nganjëhere e tepron. Ka miliona plane dhe ëndrra, besoj si çdo baba i ardhshëm. Unë vetëm dua ta shijoj momentin tim më të bukur. Në këtë pikë dallojmë pak, edhe pse nuk kam qenë e tillë.
A keni menduar për emrin?
Çdo ditë! Nga tre ose katër emra deri në mbrëmje. Dhe asnjëri deri tani nuk godet (qesh).
Keni nisur të shfletoni libra, të pyesni njerëz mbi sjelljet e një prindi të ri?
Kemi qenë të përgatitur, por tani më shumë se kurrë. Prej punimeve shkencore, deri tek bestytnitë e gjysheve (qesh).
I keni nisur blerjet për veshjet, dhomën?
Natyrisht! Jam unë ajo që blej më shumë veshje për bebin. Valit i kam lënë rregullimin e dhomës. Por prapë ai është më detajist, unë më spontane.
Si e përfytyron portretin e bebushit?
E kam parë në ëndërr që nga fillimi. Ka kaçurrela të zeza dhe është shumë beb energjik (qesh). Ka syçka të rrumbullakëta dhe faqe të kuqe.
Kujt do të doje t’i ngjante?
Përfundimisht Valit. Jo se nuk dua të më ngjajë mua, por jam shumë e sigurt që do të më ngjajë më shumë sesa duhet (qesh).
Çfarë dëshiron që të marrë prej teje dhe çfarë prej Valit?
Do doja të kishte sytë dhe qetësinë e Valit. Gjallërinë dhe buzëqeshjen time. (J.V/Shuplaka)