Admir Dervishi, gardisti që vrau më 6 prill të këtij viti bashkëshorten e tij Ilda Dervishi me armën e punës, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit, rrëfen gjithë konfliktet me gruan e tij deri tek fjalët e fundit të Ildës, pasi u qëllua me disa plumba nga babai i dy fëmijëve të saj.
Ai thotë se ende nuk e beson që ajo ka ikur në banesën e fundit dhe se shpreson që një ditë të shkojë ta takojë në burg.
“Po të kisha dashur ta vrisja, do e vrisja në gjumë”, thotë ai, duke shtuar se ka qenë i pavetëdijshëm kur ka qëlluar. “Por njeriu lajthitka”, vijon ai duke u përpjekur në një farë mënyrë të shfajësohet për krimin e rëndë, që ndodhi ndërsa fëmijët ishin aty, pak metra larg dhe që u desh të kalonin pranë nënës së shtrirë në korridore mbuluar nga gjaku.
Admiri fajëson vjehrrën, ajo sipas tij e përbuzte dhe e shihte si hasëm, madje si ‘gomë rezervë’, thotë ai.
Por ish-gardisti nuk e pranon se e ka dhunuar gruan e tij, megjithëse kur janë rikthyer bashkë para lindjes së vajzës, ai pranon se i kishte thënë Ildës se mund ta dhunonte sërish.
Ai shprehet se shpreson që fëmijët ta kuptojnë vrasjen e nënës së tyre nga babai. Por pavarësisht gjendjes dhe krimit, Admiri shqetësohet shumë edhe për opinionin publik se si do ta gjykojë.
“Të thashë, e fuste mamaja e saj. Mund të duket gabim ky nga ana e opinionit publik”, rrëfen ai.