14:46 | 21/06/2025
Nuk ka rezultat
View All Result
FaxWeb
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione
Nuk ka rezultat
View All Result
FaxWeb
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Aktualitet

Rrëfimi i Mirush Kabashit: Bujar Lako u dënua me riedukim, si “e mblodhi” pianistja

18:22 | 31/12/2016
në Aktualitet, Flash, Kulturë, Te Fundit, Te Gjitha
0
Rrëfimi i Mirush Kabashit: Bujar Lako u dënua me riedukim, si “e mblodhi” pianistja

Aktori i njohur, Mirush Kabashi, tregon vitet e Kursit të aktrimit me Bujar Lakon, dënimin që atij iu bë gjatë shkollës, rolet e tij, por dhe amanetin e tij për të mos pranuar homazhe në teatrin kombëtar.

Në një intervistë për gazetën “Panorama” Kabashi Kabashi tregon dhe momentet e depresionit që kaloi aktori i njohur, që sapo u nda nga jeta, pas viteve ’90.

INTERVISTA:

Ju keni interpretuar në disa filma me Bujar Lakon. Si kanë qenë njohjet tuaja të para?

 

Me Bujar Lakon kemi konkurruar për të hyrë në shkollën e aktrimit. Ai ishte një djalë shumë i pashëm, që unë e krahasoja me aktorë të njohur francezë, por kishte një dhunti të brendshme aktrimi. Bujari shquhej për një diksion të kthjellët dhe të pastër, me muzikalitet dhe ëmbëlsi në drejtshqiptim. Ai kishte një plastikë krejt të veçantë. Kur e pashë Bujarin që po konkurronte, u vura në një siklet se si do të përballesha unë me të që të fitoja të drejtën e shkollës. Fati e desh që unë të isha në një kurs me të deri në vitin e tretë, ku patëm pedagogë të mirë, si Serafim Fanko, me Esat Oktrovën që kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik dhe në vitin e tretë u bëmë studentë të Pirro Manit. Përveç Bujarit, në kurs kishim edhe Sali Doçin, Pavlina Manin, e cila filloi të luante filma që kur ishte studente, Ahmet Pashën, Anastas Kristoforin, Kol Kaftallin etj. Bujari, ndryshe nga ne, kishte dëshirën të bënte shoqëri edhe me kurset më të larta dhe me aktorë, por dhe pedagogë. Ishte mjaft i pranueshëm.

 

Nuk ka qenë tip i mbyllur Bujar Lako, siç thonë së fundmi?

Jo, përkundrazi, nuk e kam parë asnjëherë Bujarin si tip të mbyllur. Ai ishte natyrë që nuk e gjente kollaj vetveten, edhe për shkak të cilësive që kishte, ishte edhe tiranas, ishte më i përparuar se ne që vinim nga rrethet dhe kjo e bënte të pranueshëm edhe me nivele më të larta se ne. Bujari ishte i admirueshëm, jo vetëm për rrethet studentore, por dhe ato femërore.

Si kanë qenë historitë tuaja të asaj kohe?

Siç janë pak a shumë historitë e të gjitha brezave në fund të fundit, ku më të pashmit janë më të preferuarit. Bujari pati ndonjë çapkënllëk të kësaj natyre, për të cilën unë nuk mund të dëshmoj se ku fillon e vërteta dhe ku është amplifikimi, që ndoshta arsyet kanë qenë krejt të tjera. Në kursin tonë u bë një mbledhje për një histori të Bujarit me një vajzë. Në atë mbledhje u vendos që Bujari të largohet nga kursi i Aktrimit për riedukim, siç ishin masat disiplinore në atë kohë. Se cilat ishin shkaqet e vërteta, këtë mund ta dinë vetëm ata që e ngritën këtë çështje. Sepse, edhe nëse ishte versioni që pretendohej, që Bujari pati një lidhje dhe më pas u nda prej saj, sepse nuk e gjente vetveten, këto janë gjëra që ndodhin rëndom dhe të natyrshme. Në atë kohë kur donin të të godisnin, shfrytëzonin raste të tilla për të t’u kundërvënë.

Ishte një lidhje brenda kursit apo shkollës së aktrimit?

Jo, nuk kishte të bënte me pjesëtarë të shkollës sonë, ishte jashtë shkollës. Nuk më kujtohet mirë.

Çfarë mase iu dha?

Iu dha masa e largimit nga shkolla dhe dërgimin në një kolektiv pune për t’u riedukuar, siç thuhej atëherë. Por kjo ishte një goditje shumë e madhe për një të ri që aspiron të ecë në rrugën e artit. E tregova këtë histori për të thënë se pikërisht në këtë moment, ai pati fatin e madh që të lidhej me një vajzë që ishte studente në Akademinë e Arteve, me Mirën, një instrumentiste me të cilën Bujari lidhi jetën dhe krijoi familjen e tij. Mira, përveçse një studente shumë e mirë dhe një vajzë shumë e bukur, ishte dhe një artiste dhe qytetare me shumë karakter, një vajzë solide me të cilën ata krijuan një afeksion të madh. Unë marr guximin të gjykoj se në vitet në vijim, ajo ndikoi pozitivisht, edhe pse puna jonë si artistë na detyron që të jemi paksa larg familjes. Mira “e mblodhi” Bujarin, e ndihmoi atë, iu bë krah në formimin e tij, jo vetëm njerëzor, por dhe artistik, duke krijuar një familje të ngrohtë, duke ndihmuar edhe Bujarin në një karrierë solide të tij artistike, e duke sjellë edhe djalin e tyre, Bojkenin.

Si ka qenë Bujar Lako në fushën e xhirimit, apo në përgatitjen e një filmi?

Nuk kam të drejtë të flas për natyrën e tij krijuese, sepse me Bujarin nuk kam pasur shumë bashkëpunime të drejtpërdrejta, vetëm në dy filma, pavarësisht se nuk kemi pasur skena të përbashkëta. Bujari ishte mjaft skrupuloz në punën e tij, ndonjëherë edhe më shumë se ç’duhej. Bujar Lako ka qenë i preferuari i të gjithë regjisorëve të Kinostudios, por dhe të Teatrit, ai ka qenë ndër aktorët që edhe ka refuzuar shumë herë role, për mendimin tim shpeshherë ndoshta edhe me të drejtë. Sepse shumë herë regjisorët, të nisur nga subjektivizmi, të ofrojnë role të të njëjtit karakter dhe artisti detyrohet të përsërisë veten. Bujari ka pasur ekzigjencën artistike dhe nuk ia ka lejuar vetes që të përsëriste veten. Ndonjëherë me këtë përgjegjësi Bujari edhe mund ta ketë tepruar, duke refuzuar role, sepse automatikisht i ka munguar publikut për një kohë të gjatë.

Pas viteve ’90, Bujar Lakon e shohim gjithnjë e më larg skenës dhe ekranit. Përse?

Me ardhjen e demokracisë, u zbeh kjo forcë artistike në vend. Pati një minimizim të fondeve për artin dhe kulturën e, veçanërisht për filmin, duke futur frymën e rentabilitetit, nëse ka fitim apo nuk ka, e duke lënë jashtë vëmendjes një traditë të mrekullueshme të kinematografisë sonë, e cila prodhonte 14-15 filma artistikë në vit. Edhe sot, pavarësisht nga korniza ideologjike që i përshkonte, ata filma janë shumë të mirëpritur. Një pjesë e mirë kanë marrë edhe çmime në aktivitete jashtë vendit. Këta filma ishin një pishinë e madhe ku të gjithë ne mësuam notin. Ne sot nuk vuajmë për anën materiale, por kemi një prapambetje në zhvillimin kulturor të vendit.

Si i vlerësoni rolet e Bujar Lakos, si te “Gjeneral Gramafoni”, por edhe në filmin “Ballë për ballë” apo “Udha e shkronjave”?

Ato janë krijime me të vërtetë fondamentale në fondin e krijimtarisë sonë artistike në film, por dhe në teatër. Bazën e krijimtarisë së tij Bujari e ka pasur te teatri, si një aktor teatri shumë potent. Te ne teatri të jep mjeshtërinë, kinematografia të jep popullaritetin. Por një nga interpretimet më të larta të teatrit shqiptar është roli kryesori i Bujarit në dramën “Vizita e inspektorit” të Artur Milerit, ku ai shpërfaqi jo vetëm potencën e temperamentit, por edhe kjartësinë dhe komunikimin brilant të tij. Në kinematografi unë nuk mendoj se Bujari shquhet si një aktor karakteresh, nuk është se ai shkonte shumë te personazhi, një pjesë e personazheve ai e merrte te vetvetja. Bujari kishte një lëvizshmëri shumë të madhe, por rolet e tij mbeten lapidarë të interpretimit të tij në kinematografi. Kryesisht kanë qenë role të heronjve, por pa neglizhuar edhe rolet e karaktereve, siç është Halit Berati apo Tunxhi. Te filmi “Ballë për ballë” apo te sekretari i partisë te “Përballimi”, kanë ndryshime, sepse ai lëviz në kohë.

Ndërsa te “Gjeneral Gramafoni” kemi një interpretim të shkëlqyer, që jo vetëm tregon një plastikë të përkryer, por dhe kulturë muzikore. Prandaj mendoj se edhe Bojkeni ka marrë shumë jo vetëm nga e ëma, që është muzikante, por dhe nga Bujari, që kishte një vesh shumë të mirë muzikor, që është shumë i rëndësishëm në formimin e një aktori. Në atë rol ai tregon edhe shpirtin e tij muzikor. Bujari ka qenë edhe shumë sportiv. Kjo lidhej jo vetëm me pjesën e përkujdesjes, që çdokush duhet të ketë, por lidhej shumë me pikësynimin e tij artistik. Kjo ishte pjesë e përgatitjes së tij aktoreske. Por, nga ana tjetër, Bujari edhe pinte dhe unë gjykoj që pija nuk ishte vetëm pjesë e punës apo edhe e natyrës së tij, por ishte një shoqëruese e një depresioni që atë e ka shoqëruar në vitet e fundit.

Sepse pasi u shua mundësia për të vijuar punën në kinematografi, teatri erdhi duke u dhënë pas vlerave krejtë- sisht të natyrës komerciale të pavlera, duke e degraduar atë, atëherë ekzigjencat e Bujarit, por dhe të artistëve të tjerë për të mos e shitur veten në këtë treg të pavlerë komercial dhe mungesa e aktivizimit, u bënë shprehje e një lloj depresioni, me një lloj mungese e dëshire për t’iu afruar institucionit të teatrit. Bujari ishte shumë fisnik dhe nuk i qahej njeriu.

Si e komentoni amanetin e Bujarit, që të mos i bëhen homazhe në Teatër?

Absolutisht jo si shprehje të ndonjë rezerve të tij ndaj institucionit, apo më mirë të themi ndaj shkollës-shtëpisë së dytë, ku midis kolegëve të talentuar, ai u rrit dhe u formua deri në këto përmasa të mëdha… Por gjykoj se drejtuesit e Teatrit, përpara se t’i vendosnin një kurorë me lule në varrim, duhej t’i kishin organizuar minimalisht qoftë një ceremoni të thjeshtë, apo t’i kishin dhuruar qoftë dhe një buqetë me lule, para se të shpejtonin për ta nxjerrë në pension. Mrekullia e artistit të madh Bujar Lako qëndron në atë që vërtet ai do t’i mungojë shumë familjes, miqve, kolegëve… por do të jetë përjetësisht i pranishëm për publikun e gjerë mbarëkombëtar, të cilët do të vazhdojnë ta vlerësojnë e admirojnë nëpërmjet interpretimeve të shumta kinematografike.

Si ju duken vlerësimet e politikanëve për të?

Shumë të gjetura e të sakta. Po, që të jenë të besueshme e të sinqerta, ato duhet të shprehin dhe një reflektim të thellë ndaj politikave aspak dashamirëse (për të mos thënë frenuese) ndaj artit e artistëve, gjatë këtyre 25 vjetëve: të ndryshojnë urgjentisht ligjin autokratik dhe politizues të artit skenik, si dhe të aprovojnë (pa vonesë) Statusin e Artistit, mungesa e të cilit po i degradon artistikisht dhe moralisht, veçanërisht artistët e disa gjinive. 

Bujar Lako, aktori me talentin dhe zërin e rrallë mbylli sytë në moshën 68-vjeçare. Një atak në zemër, mëngjesin e së 26 dhjetorit, ishte shkaku i vdekjes së parakohshme.

Me 44 vitet e karrierës së tij mbi supe, Lako është njohur me shumë emra të lidhura me rolet më të spikatura në kinematografinë shqiptare. (A.R/SHUPLAKA)

Etiketa: aktorBujar Lakomirush kabashivdekja
Pas

Energjia elektrike gjatë festave, OSHEE tregon hartën e grupeve të gatshme

Para

Basha tradicional, uron shqiptarët me kartolinë për Vitin e Ri

Para
PD feston 26-vjetorin e krijimit, nesër selia blu e hapur për të gjithë (VIDEO)

Basha tradicional, uron shqiptarët me kartolinë për Vitin e Ri

Discussion about this post

 



Të Fundit

Arrest në Sarandë, hajduti serial grabiste makinat e pushuesve

Posedonte kokainë, arrestohet 31-vjeçarja në kryeqytet

Drejtoria e Policisë Vlorë/ Iu gjet armë poshtë sediljes, arrestohet 20-vjeçari. Në Delvinë humb jetën një 73-vjeçar për shkaqe natyrore

Presidenti i SHBA-së Donald Trump propozohet nga Pakistani për Nobelin e Paqes

Dronët iranianë godasin Izraelin në një depërtim të rrallë të mbrojtjes ajrore

Dështon sërish konstituimi për të 35-tën herë i Kuvendit të Kosovës. Seanca e radhës do të mbahet pas 48-orësh

Emri/ Vihet në pranga 32-vjeçari në Elbasan, vodhi në bashkëpunim me një person tjetër një celular. Në kërkim autori tjetër

Shkeljet ligjore me votën e Diasporës, PD i kërkon KQZ-së të bëjë transparente masat e marra ndaj përgjegjësve që administruan procesin zgjedhor (VIDEO)

Elbasan/Finalizohet operacioni policor “Night”: Në pranga një autor, në kërkim bashkëpunëtori

Gjimnazi “Sulejman Elezi” në Laknas, Manastirliu: Kushte moderne mësimi, biblioteka, hapësira të gjelbra dhe terrene sportive

© Copyright 2025, Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara, Dev by Techzero1.com.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione

© Copyright 2025, Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara, Dev by Techzero1.com.