Rruga drejt suksesit ka lon nga sakrifica”. Kjo është shprehja kryesore e një njeriu si Igli Tare, i cili ka lënë gjurmë me karrierën e tij kudo ku është bërë protagonist. Ndër të parët shqiptarë drejt niveleve më të larta të futbollit europian dhe aktualisht drejtori sportiv i Lacios ka rrëfyer gjithçka në një intervistë për gazetaren Jona Spahiu në emisionin “Pa filtër” në “Digit Alb”.
Derbi, si një stuhi…
Është derbi shumë i ndjerë. Vinim nga skualifikimi që na dëmtoi shumë dhe mund të rrë- zonim gjithçka që kishim ndërtuar në 10 muaj.
A ofendon Tare?
Ndodh shpesh. E preferuara është ajo “Vafa…” (qesh…).
Çfarë skepticizmi keni përballur si drejtor sportiv i Lacios?
Jo skepticizëm, por mënyra si u bëra drejtor. Njerëzit u bënë me të drejtë me dyshime, sepse isha pa eksperiencë. Ishte e papritur dhe ishte normale që të vinin në pikëpyetje Iglin si drejtor të një klubi kaq të madh.
Sfida e parë që donit të përmbushnit?
Më e bukura ka qenë kur ua thashë në Shqipëri me anë të një konference për shtyp. Dhashë lajmin e drejtorit, por më së shumti largimin nga futbolli i luajtur. Kishte njerëz që e vunë në dyshim këtë zgjedhje. Thoshin: “Si ka mundësi që ky do bëhet drejtor sportiv?” Për mua ka qenë më e thjeshtë, pasi karriera ime ka pasur shumë sfida, që kur isha me Partizanin, pasi isha djali i Isa Tares. Çdo gjë ishte prej tij, sipas njerëzve. Kur ika nga Shqipëria, kisha sfidë me veten.
A ju ka lodhur përndjekja e emrit të babait?
Problem ka qenë për të tjerët, pasi për mua ka qenë krenari. Ai bëri me mua dhe vëllezërit që të kishim disiplinën e sakrificës. Më vonë në karrierë e kisha si çelësin e suksesit këtë gjë.
Diferenca me lojtarët aktualë të Lacios, çfarë ju mungon?
Janë dy botë të ndryshme. Futbollisti jeton në një botë joreale. Është profesioni më i bukur që ekziston. Gjëra të thjeshta, të bukura pa thellësi në mendime. Flas shpesh me ta, bisedoj sikur jam pjesë e tyre dhe jo si drejtor. Ata duhet të gabojnë, por kur e bëjnë duhet të dinë edhe si ta korrigjojnë.
Si ju identifikojnë lojtarët?
Igli. Kam dashur që të mos më thërrasin drejtor, por të kemi raport miqësor. Është çelësi i një bashkëpunimi të suksesshëm.
Sa orë ju merr Lacio?
E kupton me familjen, kur tashmë im bir është rritur dhe bërë sa unë. Kur e nisa këtë profesion, ka qenë vetëm dy vjeç. Në këto vite i ka munguar shumë prania ime. Është profesion që të jep shumë gjëra dhe të merr shumë gjëra. Familja ka faturë shumë të lartë. U jam mirënjohës bashkëshortes dhe fëmijëve që e dinë se çfarë kërkon ky profesion.
Nëse djali juaj do të luajë me Romën, çfarë do t’i thoni?
Është e vetmja gjë që nuk pranohet (qesh…). E vetmja gjë jashtë dëshirave të pranueshme. Ata janë më shumë lacialë sesa unë. E pakonceptueshme të ndodhë.
Cila është arritja më e madhe që doni të bëni te Lacio?
Arritja më e madhe do të ishte Champions-i.
Cili është fjalimi i Iglit para ndeshjeve?
Në të përditshme futem pak në dhomat e zhveshjeve, pasi intimiteti i tyre është i shenjtë. Në korridore dhe dhomat e masazheve shkoj për ditë dhe marr impulset, shoh humorin e lojtarëve dhe kuptoj kush ka nevojë për një bashkëbisedim personal. Nga një shikim kuptoj shumë.
Çfarë leksioni me vlerë keni marrë te Lacio?
Kalimi nga futbollist në drejtues, ka qenë pjekuria. Kam qenë futbollist shumë impulsiv dhe jam shndërruar në drejtor reflektues. Kam karakter shumë pozitiv në momentet negative. Kur të gjithë janë të dorëzuar, unë kam forcën time dhe them që tani mund të ndryshojmë çdo gjë dhe tani ka zgjidhje. Ka qenë shpesh vendimtare kjo gjë.
Çfarë thonë për ju lojtarët?
Më etiketojnë që jam shumë i fortë nga ana e karakterit. Gjak shqiptar (qesh…). E kam edhe ‘gropën e labve’ (qesh…). Mendimi se “çdo gjë mund të arrihet” është çelësi i suksesit për mua.
Muzika e preferuar?
“Cold Play”. Jam i çmendur pas tyre.
Vendi më i bukur në Romë?
Liqeni i Braçanos, një nga vendet më të bukura për t’u qetësuar. Shumë që e vizitojnë Romën, nuk e njohin. Kaloj shumë orë me familjen aty.
Si është Igli në familje, ndryshon nga Igli i Lacios?
Nuk jam kurrë baba i rregullt ose strikt, sepse koha është e kufizuar dhe mundohem t’u plotësoj çdo kërkesë.
Italianë, gjermanë apo shqiptarë?
I madhi flet shqip shumë mirë. Ndihet shumë shqiptar. I vogli e konsideron veten italian. Nuk dua t’ua fus ndjenjën e nacionalizmit. Në Europian, djali i madh ishte me mua në Marsejë për të parë Shqipërinë. U largua disa orë dhe ishte pikturuar me shqiponjë në fytyrë. Më thanë se ishte vetëm dëshirë e tij. “E bëra për ta treguar edhe ty që jam i lidhur me Shqipërinë”, më tha.
Fëmijët?
I madhi është i ndjeshëm. I vogli më ngjan, s’e njeh fjalën frikë apo dorëzim.
E përdorin fëmijët emrin e babait të tyre?
Unë mundohem t’u jap frymë tjetër. Duhet të jenë Etieni dhe Liam, jo fëmijët e Iglit, e të krijojnë karakterin dhe personalitetin e tyre.
Çfarë ju ngre humorin?
Fitorja (Qesh…).
Si keni qenë adoleshent?
Shumë i prapë. ‘Harrakat’ jo, por i prapë. Për vetë faktin se isha pak i veçantë, sepse isha biond. Kisha problemin e kontradiktave me të gjithë. Doja që të fitoja gjithmonë, duke qenë i veçantë.
A keni pasur nofkë?
“Kuqi”, unë edhe vëllai i vogël. Në Vlorë, thoshin: “Kuqot e Tiranës”.
Si jeni rritur?
Babai na zgjonte në 6 e 30 të mëngjesit për gjimnastikë. Në momentin më të vështirë të jetës sime, më ka shërbyer shumë.
A jeni imponues për t’u mbushur mendjen të tjerëve?
Jo, kurrë. Ka qenë vetëm sfidë me veten që të isha i realizuar. Kur rrija me shokët, iu thosha: Do luaj në Itali. Në komunizëm ishte idiotësi. Pas shumë vitesh, ajo ëndërr u bë realitet.
Postera në dhomë a mbanit?
Nuk kam mbajtur. Isha marrëzisht i dashuruar me Milanin e famshëm të Sakit, me Van Vasten, Gulit, Rajkard. Ka qenë epokë e artë e Milanit. Jam rritur me mitin e Van Bastenit si qendërsulmues.
Sakrifica më e madhe që keni bërë?
Të provuarit për të qenë i ri. Është një nga periudhat më të bukura, por unë kisha përgjegjësi mbi veten dhe familjen sepse duhet t’i ndihmoja. Më ka ndihmuar shumë që të rritem dhe formohem.
Gjëja më shpërblyese që keni dëgjuar nga prindërit?
Kur shënoja dhe ata, në stadium, dëgjonin si festohej emri im.
Problemi i Iglit?
Këtu ku jam, kam qenë gjithmonë i huaj. Kur kthehem në Shqipëri, e ndiej veten të huaj sepse janë 27 vite që jam larguar. Nuk ka si vendi yt.
E keni menduar të ktheheni në Shqipëri për të dhënë kontribut tjetër?
Është një nga ato ëndrrat e mia, që një ditë të kthehem në Shqipëri dhe të kontribuoj për futbollin dhe për vendin tim. E thëna me të bërën janë gjëra të ndryshme. Për t’u kthyer, duhet të jenë shumë gjëra për ta kompletuar atë ëndërr. Pasi Shqipëria është ende larg nga ç’mund të jetë. Nëse do të kthehesha një ditë, do të kthehesha edhe duke vënë në rrezik atë çfarë kam arritur këtu (në Itali). Do më pëlqente shumë që ta realizoja si sfidë. Në Shqipëri, mekanizimi që kemi është nganjëherë problemi më i madh. Duke njohur mentalitetin dhe duke ditur se cila është rruga e duhur, nuk më frikëson. Do e realizoja me dëshirë, dua që ajo që të bëhet, të lërë gjurmë.
Mendësitë e gabuara të italianëve që ua hodhët poshtë për shqiptarët.
Nga Gjermania në Itali, jam transferuar në fund të janarit. Fati i jetës, i rritur me Milanin, ndeshjen e parë në Serinë A e kam luajtur kundër Milanit. Në Breshia, në vitin 2001, ishte e fortë diferenca mes italianëve dhe shqiptarëve. Imazhi i shqiptarëve ishte që ne jemi njerëz të zinj, të vegjël. Unë u futa në fushë, biond dhe gjigant. Kur u tha emri im, reagimi i tifozëve ishte: Uaaaa!! Një reagim sepse nuk e besonin dot. Në Gjermani nuk ishte ndjenjë kaq e fortë. Shqiptarët më falënderonin dhe thoshin më në fund që po vjen, ishte edhe Erjon Bogdani në atë periudhë, që pak nga pak filluam t’u ndryshonim mendimin për shqiptarët. Më pas ishin balerinët Kledi Ambeta etj.
Qasje pozitive përkundrejt shqiptarëve te Lacio. Shpesh ju është thënë se ndihmoni vetëm shqiptarët…
Shumë herë. Kur kam filluar të sjell shqiptarë, i pari ka qenë Strakosha me ekipet e moshave, pastaj Lorik Cana, Etrit Berisha dhe disa djem, që janë në ekipet e moshave, iu kam dhënë mundësinë pa bërë diferencën mes një braziliani apo një shqiptari. Kam pasur gjithmonë dëshirë të ndihmoj futbollistët shqiptarë, pasi e kam ditur sa e vështirë është për t’u afirmuar në nivele të larta. Ato pak zgjedhje që kam bërë, më kanë dhënë konfirmimin. Jo vetëm që e kanë nderuar fanellën e Lacios, por edhe kanë treguar imazhin më të bukur të karakterit të shqiptarëve.
Si jeni dashuruar me bashkëshorten?
Thosha që s’do martohem kurrë me një gjermane, por ja që… jam njohur rastësisht. Në një lokal, pas një ndeshjeje, isha me dy shokët e mi, ndërsa afër na ulen tri vajza. Dhe për momentin, pa e menduar, u thashë shokëve: “Ajo atje do të jetë bashkëshortja ime”. Pas dy javësh, sërish rastësisht takohem me të në supermarket dhe i kërkova një mundësi që të njihemi.
Si është Tomas?
Duhet të kesh dëshirë dhe vendosmëri për të këmbëngulur. Çfarë kam pasur gjatë karrierës, e shoh tek ai. Kur ka ardhur në moshën 16-vjeçare dhe derisa e realizoi ëndrrën e tij, nuk kam parë djalë të tillë me atë vullnet. Ka pasur raste edhe tetë orë në ditë stërvitje. Më kujtonte shumë veten dhe ai u privoi nga shumë gjëra në atë moshë. Por arriti më shumë sesa moshatarët e tij, sepse sot është një nga portierët më të mirë në kampionatin italian, portier i Kombëtares dhe do të ketë karrierë shumë të madhe. Ronaldo dhe Mesi nuk bëjnë pjesë njëri te talenti dhe tjetri te vullneti, por janë të dy njerëz, që përveçse kanë talent, kanë edhe shumë asete të tjera.