Emisioni “Historia ime” solli ditën e sotme historinë e dhimbshme të 13-vjeçares, e cila ka lënë shkollën për t’u kujdesur për dy motrat e saj, njëra 6 vjeç dhe tjetra 3-muajshe.
Babai i ka braktisur para 3 muajsh dhe mamaja e saj nuk mund të kujdeset dot për 3 vajzat. Vogëlushja kërkon ndihmë sepse e ëma në pamundësi për të rritur vajzat ka vendosur që vajzën e vogël ta lërë në shtëpinë e fëmijës.
13-vjeçarja rrëfeu se babai vazhdimisht e ka dhunuar nënën e saj dhe asnjëherë nuk është kujdesur për to. Vogëlushja ka kaluar një fëmijëri të vështirë dhe sot dëshiron vetëm të jetë e lumtur me motrat dhe nënën e saj.
Gazetarja: Çfarë po përjeton sot ti?
13-vjeçarja: Përjetoj shumë gjëra. Nuk kemi mundësi që ta mbajmë motrën dhe unë nuk dua që ta lemë.
Gazetarja: Pse çfarë ka thënë mami?
13-vjeçarja: Mami nuk ka mundësi ta mbaj, se nuk ka asnjë ndihmë.
Gazetarja: Po ku do ta lërë?
13-vjeçarja: Në befotrof.
Gazetarja: Ti e ke rritur motrën?
13-vjeçarja: Po!
Gazetarja: Edhe motrën 6 vjeç ti e ke rritur?
13-vjeçarja: Po!
Gazetarja: Mami punonte në atë periudhë?
13-vjeçarja: Po!
Gazetarja: Ti rrije në shtëpi me motrën? Nuk mund të shkoje në shkollë?
13-vjeçarja: Në shkollë nuk mund të shkoja.
Gazetarja: Çfarë ka ndodhur me babin?
13-vjeçarja: Babi… babi s’është se ka qenë ndonjëherë për ne. Edhe kur jetonim bashkë, e dhunonte mamin para meje.
Gazetarja: Babi sa kohë ka që ka ikur?
13-vjeçarja: Po bën 3-4 muaj!
Gazetarja: Keni folur më me të?
13-vjeçarja: Jo!
Gazetarja: Çfarë bënte gjithmonë babi?
13-vjeçarja: Zihej me mamin, vinte vonë në shtëpi. Ndonjëherë s’më çonte për në shkollë, ikte. Mbaj mend njëherë, se di ne ishim të gjithë duke fjetur, ai u çua dhe bënte si i çmendur, u binte mureve me grusht. Që atë ditë, s’doja ta shikoja më!
Gazetarja: U trembe?
13-vjeçarja: Po!/tvklan.al