Policia e Tiranës ka kallëzuar administratorin e Njësisë Bashkiake nr. 2 në kryeqytet, Elez Gjoza, i cili vjen nga radhët e LSI.
Procedimi i tij është bërë pasi ai dyshohet se nga viti 2013 e në vijim, ka regjistruar fiktivisht rreth 60-70 shtetas shqiptar, të cilët janë regjistruar me të njëjtin kod banimi në banesën në pronësi të tij.
Dyshohet se transferimi i gjendjeve civile të këtyre shtetasve dhe regjistrimi i tyre pranë Njësisë Bashkiake nr. 2 është kryer me qëllimin ndikimin në zgjedhjet e 25 qershorit.
NJOFTIMI:
Në datë 08.06.2017, specialistët e Seksionit të Hetimit të Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë referuar materialet proceduriale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit:
– E. Gj., 58 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i Njësisë Bashkiake nr 2. Nga informacionet e marra në rrugë operative, administratori dyshohet se nga viti 2013 e në vijim, ka rregjistruar fiktivisht rreth 60-70 shtetas shqiptar, të cilët janë rregjistruar me të njëjtin kod banimi në banesën në pronësi të shtetasit E.Gj.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se transferimi i gjendjeve civile të këtyre shtetasve dhe rregjistrimi i tyre pranë Njësisë Bashkiake nr 2, është kryer me qëllimin ndikimin në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë në datë 25.06.2017, duke u premtuar këtyre shtetasve vende pune në këmbim të votës. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Korrupsionit, po punojnë për saktësimin e gjeneraliteteve të këtyre shtetasve.
Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë së Rrrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike”, “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 328/a, 328/b dhe 186/3 të Kodit Penal. (E.K/SHUPLAKA)