Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi.
Rasti që tronditi thellë opinionin publik në fund të vitit 2023 po hyn në fazën përfundimtare me paraqitjen e fjalëve përfundimtare.
Në seancën e sotme, prokuroret Ana Stoilkoviç Dimitrovska dhe Zhaklina Josifovska Kërstevska i paraqitën fjalët e tyre përfundimtare.
Ato kërkuan dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarin e parë, Lupço Palevski-Pallço, si dhe për të akuzuarit Velibor Manev, Vllatko Keshishev dhe Bore Videvski. Prokuroria vlerëson se veprat janë kryer me paramendim dhe në mënyrë mizore, duke rrëmbyer viktimat në të njëjtën mënyrë. Sipas Prokurorisë, të akuzuarit nuk kanë shfaqur pendesë për veprat e kryera.
Prokuroria pretendon se pas kryerjes së krimeve, të akuzuarit i kanë fshehur të gjitha gjurmët dhe e kanë shkatërruar armën.
Prokurorja Stoilkoviç Dimitrovska theksoi se nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese për të akuzuarit.
Sa i përket babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, Prokuroria kërkoi dënim të përshtatshëm me burg, duke mbetur në qëndrimin se ai ka marrë pjesë në planin për rrëmbimin e vajzës së tij. Prokurorja Dimitrovska theksoi se vetëm ai e di motivin e vërtetë për përfshirjen e tij. Sipas aktakuzës, supozohet se motivi i rrëmbimit të Vanjës ka qenë përfitimi material, përkatësisht kërkesa për shpërblesë nga një anëtar i afërt i familjes.
Pançe Zhezhovski nga Velesi ishte vrarë disa ditë para Vanjës dhe automjeti i tij ishte përdorur për rrëmbimin e vajzës. Prokuroria ngarkon të njëjtat persona për të dy rrëmbimet dhe vrasjet.
Familjarët e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë, iu bashkuan kërkesës së Prokurorisë për shqiptimin e dënimeve me burgim të përjetshëm për autorët e veprave. Ata gjithashtu kërkuan që Gjykata të caktojë kompensim të drejtë financiar për dhimbjen shpirtërore të përjetuar gjatë këtij procesi penal, në vend që të drejtohen në një procedurë civile shtesë.
Prokurorja Ana Stojllkoviq Dimitrovska në fjalët e saj përfundimtare theksoi se “asnjë dënim nuk do të jetë i mjaftueshëm për familjet e viktimave.”
Gjyqi vazhdon me fjalët përfundimtare të mbrojtjes, pas së cilës gjykata do të duhet të japë vendimin.