Nga Zamir Alushi
Kur ambasadori italian Alberto Cutillo shkoi për vizitë tek çadra e protestës së opozitës, para zgjedhjeve të qershorit 2017, ky sinjal nuk u lexua drejt nga Edi Rama. Ai mendonte se një ambasador që delte nga rreshti i trupës së diplomatëve të BE dhe SHBA, nuk është problem. Në fakt, toka ku e mbështet pushtetin Rama po rrëshqiste.
Shumë kohë politike më parë se sa zgjedhjet e bujshme të së dielës për Parlamentin Evropian, Italia mikja e fuqishme e Shqipërisë në BE, po humbiste terren në union me ardhjen në pushtet të radikalëve. Këta edhe atje ku janë minorancë, si në Gjermani, Holandë dhe Francë, ja kanë dalë të ndikojnë në ngurtësimin e politikave të zgjerimit të BE-së dhe të trajtimit të emigrantëve. Por ja që kryeministri e mbivlerësonte lidhjen personale me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Freferica Mogherini, po ashtu edhe miqtë eurodeputetë që e furnizonin Komisionin Evropian me rekomandime dhe rezoluta pozitive.
Demokracia funksionale evropiane i bën të paefektshme lobimet, sado të fuqishme të jenë. Ishte koha e ardhjes në pushtet të Mateo Salvinit dhe Luigi Di Maio. Asnjë nga ata këta të dy nuk do priste Edi Ramën, qoftë edhe për një selfie, ndërsa ky vazhdonte të shkonte si një qytetar i thjeshtë dhe nuk arrinte të hapte ndonjë derë në Itali. Mateo Renci, njeriu që e propozoi Mogherinin për në Komisionin Evropian kishte humbur prej kohësh pushtetin e tij.
Kështu edhe plani i Ramës për të marrë pjesë dhe faktorizuar në skemën për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të humbte një këmbë të kompasit diplomatik. Tashmë, Merkeli do të shfrytëzonte konjukturën dhe do ta mënjanonte Mogherinin nga negociatat Kosovë-Serbi, ku gatuhej një plan që Gjermania e kundërshton fort. Edhe ekspozita e tij, si piktor, prej kohësh i kishte zhvendosur në Gjermani. Aty zhvillohej beteja e madhe mes opozitës dhe qeverisë shqiptare për të marrë mbështetjen.
Dihet se në Gjermani qeverisin në koalicion e majta socialdemokrate dhe CDU e Merkelit (Ky model u la të kuptohej, sikur do ta zbatonin PS dhe PD, pas paktit Rama-Basha të 17 majit). Shefi i opozitës, Basha dhe kryeministri Rama, në një garë të fortë arritën të balancojnë njëri tjetrin me informacionet për arritjet në reforma, nga njëra anë dhe dështimet, nga ana tjetër. Tashmë Salvini, me këto zgjedhje, u forcua edhe në Parlamentin Evropian, ndërsa miqtë e Ramës, përfshirë Flackenstein, pakësohen.
Pikërisht në momentin kur Edi Rama, kishte më tepër nevojë për ndihmën e miqve të huaj, kur ata po bien një nga një nga pushteti, Rama largoi me arrogancë edhe ministrin e jashtëm, Ditmir Bushati. I edukuar në OJQ-të e Brukselit, Bushati ishte një burokrat efikas që ndiqte shumë mirë lojën diplomatike të BE-së dhe Ballkanit. Të paktën ia kishte dalë të neutralizonte diplomacinë greke në lidhje me kushtëzimet për integrimin e Shqipërisë.
Me largimin e tij, pamë një Greqi tjetër, aspak miqësore. Dje, në zgjedhjet për PE-në do të humbte Tsipras dhe do të ngrihej Neo Demokracia, që janë të afërt politikisht me opozitën tonë. Ndryshe nga marrëdhëniet aspak miqësore të Ramës me Tsipras, Basha i ka shumë të mira raportet me të djathtën greke të udhëhequr nga Mitsotaqis.
Tani, si Odisea mes Shillës dhe Caribdës, Rama mes Salvinit dhe Mitsotaqisit, do ta ketë të vështirë të gjejë shtegun e shpëtimit. I vetëm dhe pa miq ndërkombëtar, kur edhe sondazhet e nxjerrin Ramën humbës në zgjedhjet e ardhshme, i vetmi shpëtim duket një takim me Bashën, të cilit do t’i jepte gjithçka për të zgjatur kohën e qëndrimit në karrigen e kryeministrit.